Ka ndodhur

Mbushet me pula të ngordhura bregdeti i Ranës së Hedhur në Shëngjin

Bregdeti i Ranës së Hedhur në Shëngjin, është mbushur me pula të ngordhura. Nuk dihet nëse këto pula janë hedhur në këtë zonë apo janë sjellë nga dallgët e detit.

Deri tani, në terren nuk ka shkuar asnjë nga institucionet përgjegjëse për të verifikuar situatën. Kjo ndodh në një kohë që gripi i shpendëve ka prekur dhe vendin tonë e deri më tani kemi mijëra pula të ngordhura.

Nuk është përcaktuar shkaku i ngordhjes së këtyre shpendëve, ndërsa sipas të dhënave zyrtare, deri tani në qarkun e Lezhës nuk ka asnjë rast me gripin e shpendëve.

Para disa ditësh u zbulua një vatër e gripit të shpendëve në Shkodër.

Virusi është konstatuar në zonën e Suka Dajcit, ndërsa pozitive ka rezultuar një pulë oborri në një familje.

Raste të gripit të shpendëve janë zbuluar më herët edhe në Durrës, Divjakë, Dibër dhe Korçë.

Në njoftimin e fundit, më 29 mars, Ministria e Bujqësisë bëri me dije se situata me gripin e shpendëve po monitorohej në të gjithë vendin, ndërsa janë 5 vatra aktive, përkatësisht në Korçë, Divjakë, Durrës, Vlorë dhe Dibër.

Rastet e para me gripin e shpendëve në vend janë regjistruar më 19 mars, ku më së shumti janë prekur pulat e fermave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë