Prej disa kohësh e dimë që po vjen një film artistik për Laura Pausinin, me Laura Pausini, nga Laura Pausini. Thelbi i saj, me pak fjalë, edhe ideja janë mjaft origjinale. Ajo jo vetëm që tregon jetën e yllit të muzikës, por edhe historinë e asaj që Laura mund të kishte qenë nëse… nuk do të kishte qenë këngëtare, nëse nuk do të kishte fituar Sanremon … nëse do të kishte qëndruar në Solarolo, (komunë në Provincën e Ravenna).
Nga 7 prilli në 240 vende të botës do të mund të shihet ky film nga një ide origjinale e Pausini, shkruar nga Ivan Cotroneo, Monica Rametta dhe Laura Pausini, me regji të Ivan Cotroneo. Mbretëresha e këngës italiane është për herë të parë para kamerës, në një projekt që konfirmon dashurinë e saj për kinemanë dhe që do të zbulojë për publikun shpirtin e saj të vërtetë, përmes pamjeve të rralla të jetës së saj private dhe profesionale. Por duke treguar edhe një tjetër Laurë: çfarë mund të ishte tjetër.
“Nëse nuk do të kishte fituar Sanremon…”
Në një intervistë të fundit, të realizuar nga shkrimtarja Teresa Ciabatti, mund të lexohet: “Çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishit fituar Sanremon?” Laura Pausini çudit që në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, që kur triumfoi në Festival me “La solitudine”, duke nisur një karrierë suksesesh, çmimesh, miliona disqesh të shitura nëpër botë. Për njëzet e nëntë vjet Laura Pausini ka qenë këngëtarja më e rëndësishme italiane.
Së fundmi ajo ishte në Sanremo si e ftuar. Së shpejti me Alessandro Cattelan dhe Mika do të prezantojë Eurovizionin dhe më 7 Prill në Prime Video do të publikohet filmi “Laura Pausini, kënaqësi që u njohëm”. Me një pyetje që Laura e bën prej vitesh: çfarë jete tjetër mund të kisha pasur?
Fëmijëria në Solarolo, në zonën e Ravenës
Dhe më pas filmi kthehet në Solarolo (provinca e Ravenës), te nëna Gianna, mësuese kopshti, te babai Fabrizio, këngëtar i piano barit. Dhe më pas, siç e pranon edhe vetë Pausini: po të mos e kishte tradhtuar i dashuri në atë kohë, Marko i famshëm, nuk do të kishte shkruar “La solitudine”, nuk do ta kishte fituar Sanremon dhe fati kushedi ku do e çonte…
Sot Laura Pausini, me mbi 70 milionë albume të shitura, është një nga artistet italiane më të njohura në botë. Ajo fitoi një Golden Globe për këngën më të mirë origjinale për “Io Sì” dhe është gruaja e parë në historinë e muzikës italiane e nominuar për Çmimet e Akademisë, për të njëjtën këngë, të cilën e interpretoi gjatë ceremonisë së Oscars 2021 në Los Anxhelos dhe e ndjekur në të gjithë botën.
Marrë nga Corriere della Sera, përshtati në shqip Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




