Gazeta Si – Katër polumbarë dhe dhjetëra forca policie, janë duke kërkuar për trupin e pajetë të 10-vjeçarit, i cili është mbytur të martën pasdite në lumin Fan, duke luajtur me top me bashkëmoshatarët e tij.
Krahas tyre, janë edhe dhjetëra të afërm që po ndjekin rrjedhën e lumit pranë vendit që ai ra me shpresën se mund të gjejnë trupin e të miturit.
Ky i fundit ra në lumë në fshatin Shtrungaj të Mirditës, teksa po merrte topin. Në drejtim të vogëlushit shkoi edhe i vëllai, duke tentuar ta ndihmonte, por rrjedha e fortë e mori atë duke i lënë vetëm xhupin në dorë.
Mësohet se deri më tani, polumbarët kanë gjetur 20 kilometra larg vendit të ngjarjes topin me të cilin po luanin fëmijët, ndërsa ende nuk ka asnjë shenjë për trupin e 10-vjeçarit.
Në fakt, familjarët nisën kërkimet vetë pasditen e të martës, por pa rënë në gjurmët e tij, pasi janë penguar edhe nga errësira.
“Djali ka qenë dje në orën 15:30, duke luajtur me top me kalamajtë atje. I ka rënë topi në ujë dhe e ka ndjekur ta kapë. Djali ka rënë në ujë. Jemi munduar për ta gjetur dje që në orën 17:00. U errësua dhe ka pasur pak mobilizim, vetëm çfarë kanë dëgjuar fshatarët dhe kanë dalë, – tregon një i afërm i të miturit. – I bëjmë thirrje shtetit që të ngrihet në këmbë, se një fëmijë po të ishte diku tjetër do ishte bërë problem, në Shqipëri jo. Ka qenë me vëllain e vete dhe me 2-3 shokë duke luajtur pas shkollë”, – vijoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



