Ka ndodhur

Durrës, gjendet 1 kg heroinë 9 muaj pas kontrollit në kamionin e sekuestruar

Gazeta Si - Një kg heroinë është sekuestruar në Portin e Durrësit në vijim të operacionit të nisur më 26 qershor 2021 në doganën e Hanit të Hotit, ku u sekuestruan 17 kg të tjera.

Mësohet se kamioni ku u gjet sërish lënda narkotike, ishte sekuestruar që në qershor nga autoritetet e Portit të Durrësit dhe pas informacioneve se mund të kishte sërish lëndë narkotike, u bë një kontroll i imtësishëm brenda mjetit.

Pas ndërhyrjes me mjete prerëse, në shasinë e kamionit u bë e mundur gjetja e një sasie tjetër lënde të dyshuar narkotike heroinë, me peshë 1 kilogram.

Para 9 muajsh, në 26 qershor 2021, u arrestua drejtuesi i kamionit, Sulo Pajo në kuadër të operacionit të koduar “ATTEMPT”.

Kamioni me targa shqiptare ishte nisur drejt Malit të Zi për t’u furnizuar me mall, për t’u kthyer më pas me destinacion Italinë përmes Portit të Durrësit.

Por agjentët në doganën e Hanit të Hotit, nga informacionet dhe dyshimet që kishin, vendosën që ta ndalonin për kontroll, duke zbuluar lëndën narkotike.

Ndërkohë, Sulo Pajo, i ka qëndruar versionit të tij, se nuk ka pasur dijeni për drogën që i është gjetur në mjet. Sipas tij, ai kishte përgjegjësi vetëm për materialet që transportonte dhe jo për sasinë e heroinës që iu gjet e fshehur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë