Ngjarje

Foto/ Vrasja në autostradë, Çalit i kishin borxh 1 mln dollarë. Nën hetim konfliktet për biznesin e kromit

Gazeta Si – Ekzekutimi i Iljaz Çalit mbrëmjen e të dielës, vijon të mbetet i paqartë, megjithatë policia ka ngritur pistat e para të hetimit, ky dyshimi kryesor mbetet një larje hesapesh për konflikte të biznesit të tij.

I pari që është marrë në pyetje, ka qenë vëllai i viktimës Zeqir Çali, i cili ka treguar se së bashku me vëllain prej vitit 2011, nxirrnin krom në minierën e Bulqizës.

Për shkak të këtij biznesi, ata i kishin shitur një sasi prej 2400 tonë një tjetër personi që merret me tregtinë e kromit dhe që sipas Zeqirit, quhet Rr.D.

Sipas vëllait, Iljaz Çali dhe vetë ai kanë pasur konflikt prej 3 vitesh me Rr.D, pasi ky i fundit nuk i ka shlyer një shumë financiare prej 1 milion dollarë, shifër kjo që përbënte dhe vlerën e 2400 tonë krom.

I vëllai i të ndjerit shton se herë pas here kanë pasur debate për punën e mospagesës nga ana e Rr.D, debate që janë shoqëruar me kallëzime dhe në polici.

Biznesi ishte regjistruar që në vitin 2011, ndërsa koincidencë në këtë histori, është se thuajse në të njëjtën datë, më 4 prill 2014, atij i kanë varë mikun e ngushtë, Gjin Nika, i cili gjithashtu kishte edhe një biznes kromi.

Nga një ekstrakt i QKR-së, viktima del të jetë të jetë aksioner në kompaninë ‘Çali Metal SHPK’, me objekt shfrytëzimin dhe përpunimin e mineralit të kromit, eksport i tij.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes në autostradën Tiranë-Durrës, nuk është gjetur asnjë gëzhojë, çfarë nënkupton se autori apo autorët janë kujdesur të mos lënë prova. Në makinën e viktimës nuk është gjetur armë apo sende të tjera të paligjshme.

Gjithashtu, 37-vjecari Iljaz Çali nuk është një emër i panjohur për Policinë e Shtetit. Disa vite më parë, gjatë një operacioni, policia gjeti dhe sekuestroi në banesën e tij, rreth 682 rrënjë kanabis sativa. Asokohe Çali u shpall në kërkim, ndërsa nëna e tij, Xhemile Çali u arrestua për kultivim kanabisi.

Deri në këtë fazë të hetimit, çështja vijon të mbetet e mjegullt, ndërsa pa autor ka mbetur edhe ngjarja e ndodhur 8 vite më parë kur u ekzekutua shoku i viktimës së djeshme, Gjin Nika.

Pak para mesnate, ndaj makinës me të cilën udhëtonte 37-vjecari Iljaz Çali u qëllua me breshëri plumbash, ç’ka solli daljen e tij nga rruga dhe përplasjen me trafik-ndarësen në autostradë.

Çali po lëvizte me një automjet tip “Land Rover” të marrë me qira në drejtim të Kasharit, kur një makinë tjetër paralel hapi zjarr, duke e lënë të vdekur në vend.

Fillimisht nga policia u dyshua për një aksident, nisur edhe nga inspektimi i parë në vendin e ngjarjes, ku trupi i 37-vjeçarit u gjet i shtrirë në rrugë, por pas plagëve në trup, pista e hetimit ndryshoi dhe policia konfirmoi se bëhej fjalë për një atentat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë