Gazeta Si – Pas më shumë se 15 orësh, “Rruga e Arbrit” është rihapur nga autoritetet lokale, teksa të dielën në mesditë u shemb nga rrëshkitja e një masivi dheu.
Dy mjete të firmës kontraktore kanë punuar për rreth 6 orë për të larguar sasinë e dherave të rrëshqitura nga faqja e malit në Bypass-in e Murrizit, vetëm pak metra nga hyrja e tunelit.
Edhe pse dheu u largua në orët e vona të mbrëmjes, firma kontraktore dhe policia nuk lejuan kalimin e mjeteve gjatë natës për arsye sigurie, pasi kishte ende rrëshqitje, duke i detyruar drejtuesit e mjeteve të përshkojnë aksin e vjetër nga Burreli.
Mëngjesin e kësaj të hëne, pas një kalimi të fadromave, kontraktori ka vendosur që të lejojë kalimin e mjeteve.
Qindra metra kub dhera mbuluan rrugën në një gjatësi prej më shumë se 50 metrash, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve në të dy anët e lëvizjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



