Ajo është nënë e pesë fëmijëve dhe për gati 25 vite ka jetuar në Greqi.
E larguar nga Shqipëria pa mbushur akoma 15 vjeç, Rudina Aliu ka lindur dhe rritur fëmijët e saj në vendin fqinj.
Vetëm pak kohë më parë, ajo vendosi të rikthehet në vendlindje, por katër nga fëmijët e saj nuk kanë asnjë lloj kombësie dhe nuk figurojnë të regjistuar as në Greqi dhe as në Shqipëri.
Fakti që ajo dhe bashkëjetuesi i saj jetonin pa dokumente në Greqi bëri që asnjë prej fëmijëve, më i madhi prej të cilëve 24 vjeç të penalizoheshin.
“Nuk kisha letra, as certifikatë, as pasaportë, asnjë lloj dokumenti”,- pohon ajo për gazetën “Si”.
Praktikisht dhe ligjërisht të panjohur, fëmijët e Rudinës (ata i përkasin të gjithë komunitetit rom) nuk ka qenë kurrë në shkollë, nuk dinë as të shkruajnë dhe të lexojnë dhe nuk përfitojnë as shërbime shëndetësore.
Tashmë ata po përpiqen “të njihen” nga shteti shqiptar rast pas rasti dhe për njërin prej tyre është hapur një proces gjyqësor nga avokatë të ndihmës ligjore falas.
Specialistë nga Shërbimi Ligjor Falas në Tiranë, të cilët po merren me rastin e fëmijëve të Rudinës thonë se përgjithësisht mosnjohja e shtetësisë ndodh te fëmijët e lindur jashtë republikës së Shqipërisë, të cilët zotërojnë një dokument lindjeje nga shtetit ku kanë lindur, por dokumenti nuk është në formën e kërkuar nga ligji (i mungon vula apostile), apo kur këta fëmijë kanë dokumente me të dhëna të pasakta (gabime në emrat e prindërve, apo lëshime të certifikatave të lindjes pa emër), gjë që ka ndodhur më së shumti në shtetin grek, që i pengonte prindërit shqiptarë pa leje qëndrimi të rregullt të vendosnin emrin e fëmijës.
Sipas të dhënave nga organizata të ndryshme dhe UNICEF, në Shqipëri, shumë prindër kanë dështuar t’i kalojnë pengesat burokratike lidhur me legalizimin e certifikatave të lindjes së fëmijëve në shtete të huaja.
Në shumë raste, këtyre familjeve as nuk i ofrohet ndihmë ekonomike.
Pas analizimit të një sërë raportesh të shoqërisë civile mbi zbatimin e strategjive kombëtare të integrimit të romëve në Bashkimin Evropian (Qendra për Studime Politikash, CEU, Budapest) bëhet me dije gjithashtu se kjo problematikë është tepër e prekshme sidomos nga prindër shqiptarë që kanë emigruar në Greqi dhe që i përkasin komuniteteve rom dhe egjiptian.
Nga këto raporte theksohet edhe se së fundmi kjo problematikë është shtuar edhe për shkak të shtimit të numrit të fëmijëve që vijnë në Shqipëri si refugjatë nga zona të prekura nga lufta apo nga konflikte.
Para vitit 2018, legjislacioni shqiptar e shihte regjistrimin e fëmijëve si detyrim prindëror dhe organet shqiptare përfishihen në këtë proces vetëm në rastet e fëmijëve të braktisur.
Por, tashmë, para rreth tre vjetësh ligji ka ndryshuar.
“Me ndryshimet e fundit, ligji tashmë ka siguruar që fëmijët e lindur pa shtetësi në territorin shqiptar, fëmijët e braktisur, fëmijët e birësuar dhe shumica e fëmijëve të lindur nga shtetas jashtë vendit të fitojnë përkatësinë. Fëmijët përballen ende me vështirësi nëse prindërit kanë dokumentacion të parregullt dhe si rrjedhim komunitetet rome dhe egjiptiane ndikohen në mënyrë të pabarabartë, ndërsa fëmijët e lindur jashtë vendit nga prindërit romë, veçanërisht në Greqi, përballen me vështirësi të veçanta.”,- vërehet në një raport të UNICEF dhe CEU.
“Edhe fëmijët e riatdhesuar nga zonat e prekura nga konflikti përballen me pengesa për
zgjidhjen e statusit të tyre ligjor dhe marrjen e shtetësisë. Për këtë çështje do të ishte e rëndësishme miratimi i qasjeve të reja ligjore të përshtatura me legjislacionin ndërkombëtar, që procesi kombëtar i regjistrimit civil dhe regjistrimit të lindjeve në Shqipëri të thjeshtohet dhe i gjithë stafi të trajnohet për ta kryer këtë procedurë në mënyrë të dobishme dhe pa diskriminim. Kërkesat lidhur me dokumentacionin duhet të thjeshtohen dhe të reduktohen kostot.”,- vërehet më tej.
Sipas specialistëve, “një sistem kombëtar elektronik i të dhënave për mbrojtjen e fëmijëve dhe, për pasojë, një sistem i unifikuar të dhënash që mbledh informacion mbi fëmijët që janë përfitues të programeve të mbrojtjes sociale në tërësi mbetet ende i parealizuar.”
Situata në të cilën po kalon tashmë e gjithë Evropa e ka bërë akoma më të prekshëm problemin në fjalë, ndërkohë që në Shqipëri nuk ka pasur dhe vijon të mos ketë të dhëna të sakta lidhur me fëmijët pa shtetësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



