Ka ndodhur

Mot i keq dhe dallgë të larta, pezullohen lundrimet me traget në Durrës dhe Vlorë

Gazeta Si – Për shkak të përkeqësimit të motit dhe erërave të forta, pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit në Durrës dhe Vlorë.

Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton se të gjithë pasagjerët që kanë prenotuar për të udhëtuar në datat 30 dhe 31 mars me tragetin Durrës-Bari dhe Bari-Durrës, linjat janë anuluar për shkak të kushteve të motit.

Edhe në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj, si pasojë e situatës së përkeqësuar hidrometeorologjike, nga data 30 mars deri në 1 prill, është vendosur që të pezullohen tragetet e linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë. Po ashtu, janë pezulluar mjetet e vogla lundruese si dhe anijet e peshkimit.

“Kontaktoni agjencitë për rimburisimet apo zhvendosjen e udhëtimeve në data te tjera”, – njofton Drejtoria Detare.

Bregdeti shqiptar do të përfshihet nga era me shpejtësi deri në 20m/s dhe lartësia e dallgës së detit arrin në 2.50 deri 4.00 m, ku forca e detit shkon 5-6  deri 7-8 ballë. Kushtet e motit përmirësohen në datën 1 prill 2022 mbas orës 22:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë