Ngjarje

Mbi 3 mijë ndërhyrje te pronat në bregdet vetëm në Durrës, Lame tregon thelbin e problemeve të Kadastrës

Faqe të grisura, të dubluara dhe të zëvendësuara. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame doli këtë të mërkurë në një konferencë për shtyp për të bërë publike problematikën madhore në zonën e Durrësit.

Lame tha se agjencia që ai drejton ka identifikuar në të paktën 3115 raste në zonat bregdetare të Durrësit, ku ka ndërhyrje në regjistrat e Kadastrës.

“Janë 730 faqe të grisura, 243 faqe të zëvendësuara. Pra kanë hequr një faqe dhe kanë vendosur një faqe tjetër. 569 faqe të dubluara, pra e njëjta pasuri është e regjistruar dy herë për dy persona të ndryshëm. Janë 25 faqe të grisura, ku ka mbetur rrënja e faqes, që duket që ka qenë një faqe që është hequr më pas. Janë 1548 faqe bosh që janë brenda regjistrave, të cilat lihen me qëllim që kur të vinte hallexhiu i radhës dhe ta fusnin në ato faqe. Ka pafundësisht ndërrime fletësh që janë bërë në hartë”, tha Lame.

Regjistrat janë ndryshuar për zonat bregdetare të Durrësit, si ajo e plazhit, Spitalla, Lalzit, Rodonit dhe e gjithë fasha e bregut të qytetit.

Në lidhje me përgjegjësit, Lame nuk ishte në gjendje që të drejtonte gishtin askund, por te mungesa e një rregulloreje për arkivin.

“Nuk ka pasur rregullore pune në arkiv. Kushdo mund të fuste duart në arkiv. Nuk kanë ekzistuar me qëllim këto rregullore. Nuk dimë kujt t’ja vemë gishtin mes punonjësve, përgjegjësia është e të gjithëve ne në 30 vite”, deklaroi Lame.

Gjetjet nga ky raport në Kadastrën e Durrësit, Artan Lame tha se do t’ja dorëzojë Ministrisë së Drejtësisë, duke shtuar edhe arsyen se përse vendosi t’i bëjë publike.

“Kjo shërben për të pëcaktuar vitin zero. Ky material është publikuar, sepse na kanë vënë në siklet të madh ne si drejtori. Tani, kushdo, po patën gjë le të shkojnë deri te Edi Rama për t’i thënë na ndërro këtë faqe për ta ndryshuar”, shtoi ai.

Në lidhje me pasuritë e identifikuara me probleme sa i takon pronësisë në këtë raport…

“Do të vendoset bllokimi dhe pa plotësuar dhe spastruar dokumentacionin e tyre nuk mund të punohet më me to. Raportin e publikuam për të treguar se nga vjen e keqja, për të treguar problemin real të kadastrës, se boll më me fasadë. Se edhe reduktimi i kohës së shërbimeve ka rëndësinë e vet, por ky është thelbi i problemit”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë