Ka ndodhur

Sherri me armë në Tiranë, 27-vjeçari kapet në Gjirokastër pasi nuk i ndaloi policisë

Gazeta Si – Një 27-vjeçar me iniciale M.Xh., nga Tirana, i shpallur në kërkim për një ngjarje të ndodhur më 27 mars 2022 në rrethrrotullimin e Saukut, është arrestuar në aksin Gjirokastër-Tepelenë.

I riu, së bashku me 3 persona të tjerë të cilët janë arrestuar më herët, u konfliktuan me njëri-tjetrin pranë rrethrrotullimit të Saukut në kryeqytet, ku mbetën të dëmtuar dy persona me iniciale M.D. dhe S.S. të cilët morën mjekim në spital.

Pasi uniformat blu e konstatuan duke udhëtuar me makinë në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, i bënë shenjë për të ndaluar në dy pika kontrolli. Por 27-vjeçari nuk e ndaloi mjetin dhe u largua.

Menjëherë policia i është vënë në ndjekje dhe pas disa minutash është arrestuar në Tepelenë.

Pas procedurave, i riu iu dorëzua shërbimeve të Komisariatit Nr. 1 Tiranë. Policia thotë se ai akuzohet për vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë