Fillimisht godet me shpullë komedianin Chris Rock, më pas fitues i Oskarit, e në fund fare ndjesë për Akademinë dhe lot. Will Smith, 53 vjeç, fitoi statujën e aktorit më të mirë për interpretimin e tij në “King Richard”. Por pak minuta para ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Smith u bë protagonist i një sherri në skenë me komedianin Chris Rock, një nga prezantuesit e mbrëmjes.
Teksa Rock prezantoi çmimin e dokumentarit, ai bëri një koment për flokët e Jada Pinkett Smith, gruas së Smith, e cila vuan nga alopecia (sëmundje që shoqërohet me rënie flokësh).
“Jada, të dua, GI Jane 2, mezi pres ta shoh”, tha Rock, duke qeshur dhe duke luajtur me emrin e gruas, filmin e mirënjohur me protagoniste Demi Moore dhe serinë e filmave aksion G.I. Joe (Filmi tregon historinë e trilluar të gruas së parë që i nënshtrohet trajnimit të operacioneve speciale).
Në fillim u duk se aktori nuk ishte ofenduar, por më pas, dukshëm i mërzitur, u ngrit, iu bashkua humoristit në skenë dhe e goditi në fytyrë. Pastaj u kthye në vendin e tij. Më pas pati një shkëmbim në distancë mes të dyve. “Ishte thjesht një shaka”, tha Rock. “Nxirre gruan time nga ajo f**k gojë”, i bërtiti Smith.
Pak minuta më vonë, njoftimi: Will Smith fitoi Oscarin për aktorin më të mirë për rolin e Richard Williams, babai i dy kampioneve të tenisit Serena dhe Venus Williams, në filmin me regji nga Reinaldo Marcus Green. Kjo është statuja e tij e parë, por në të kaluarën ai ishte nominuar për Ali (2001) dhe The Pursuit of Happiness (2006). Këtë vit, aktorë të tjerë në garë për çmimin ishin Javier Bardem (Being the Ricardos), Benedict Cumberbatch (The Power of Dog), Andrew Garfield (Tick, Tick… Boom!) dhe Denzel Washington (Macbeth).
Gjatë fjalës së tij falënderuese për çmimin, aktori i përlotur i kërkoi falje Akademisë dhe të gjithë kolegëve të pranishëm në ceremoni, duke shpjeguar se “dashuria të bën të bësh çmendurira”. “Richard Williams – tha Smith duke kujtuar babain e motrave Venus dhe Serena Williams, të cilave u kushtohet filmi ‘King Richard’ – ishte një mbrojtës i zjarrtë i familjes së tij”.
“Në këtë moment të jetës sime jam i mbingarkuar nga ajo që Zoti po më kërkon të bëj në këtë tokë. Unë jam thirrur në jetën time të dua njerëzit, të mbroj njerëzit dhe të jem një lumë për njerëzit e mi. Më është dashur të mbroj Jade, e cila është një nga gratë më të forta dhe më delikate që kam takuar ndonjëherë. Dua të jem një ambasador i kësaj lloj dashurie, kujdesi, vëmendjeje”, tha aktori. Një fjalim, ai i tij, në mes të një kërkese për falje dhe një vetëjustifikimi.
Në mbrëmje, Policia e Los Anxhelosit bëri të ditur se janë në dijeni të ngjarjes, por nuk kanë marrë masa për të, duke qenë se për momentin Rock nuk ka bërë denoncim.
“Nëse, në të ardhmen, personat e përfshirë do të donin një raport hetimor mbi episodin, ne do të ishim në dispozicion për ta bërë atë”, thuhet në një shënim nga agjencitë e zbatimit të ligjit të cituar nga Reuters. Akademia përmes llogarisë zyrtare në Twitter bën të ditur se “nuk toleron dhunën në asnjë formë”. Por polemika duket e pashmangshme: Smith nuk e larguan, pasi sulmoi Rock-un, përkundrazi ai u lejua të dilte në skenë dhe të merrte çmimin. Një vendim që, sipas disave, në fakt përbën një lloj amnistie nga Akademia për aktin e tij të dhunshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




