Gazeta Si – Një 50-vjeçar italian është vrarë me thikë në Firence nga një sipërmarrës me origjinë shqiptare pas një sherri mes të dyve. Ngjarja ka ndodhur në Itali në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Viktimë ka mbetur Tommaso Dini, i cili kishte në pronësi një agjenci të vogël imobiliare dhe mediat italiane raportojnë se ai u godit me thikë nga një 47-vjeçar shqiptar i quajtur Ilir Leba.
Italiani mbeti fillimisht i plagosur me 3 goditje thike në gjoks dhe u dërgua në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë disa orë më vonë. Pas ngjarjes autori i dyshuar u arratis. Por më vonë ai u kap nga karabinierët dhe u arrestua.
Autoritetet italiane po hetojnë për akuzën e vrasjes me dashje. Bazuar edhe në deklarimet e dëshmitarëve, fillimisht ka pasur një sherr me tone të larta mes viktimës dhe autorit të dyshuar. Më pas 47-vjeçari shqiptar nxori thikën dhe e goditi në gjoks.
Mediat italiane raportojnë se Ilir Leba së bashku me vëllain e tij kanë një kompani ndërtimi në shtetin fqinj.
Dyshohet se mes tij dhe 50-vjeçarit italian ka pasur konflikte të hershme pune, por këto janë pista paraprake hetimore.
Pas ngjarjes, disa persona i kanë shkuar në ndihmë biznesmenit të plagosur rëndë, i cili u dërgua pa ndjenja në spital, ku megjithëse qëndroi në jetë gjatë natës, në fund nuk arriti të mbijetojë, duke lënë pas gruan dhe dy vajza të mitura.
Karabinierët kanë zbardhur ngjarjen bazuar në pamjet e kamerave në zonën ku ndodhi vrasja, megjithatë thika e përdorur nga autori ende nuk është gjetur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




