Teater

“Celulë seksuale” në Teatrin Eksperimental: Gjithçka lidhet me marrëdhëniet nënë-fëmijë…

Nga Gazeta Si - Katër gra të moshave të ndryshme janë operatore telefonike që shesin lodra seksi. Në këtë linjë është e ndërtuar komedia e hidhur “Celulë seksuale” e Anna Longarettit, e përzgjedhur për t’u vendosur për publikun vendës në Teatrin Eksperimental.

Këto 4 gra në meskohën e telefonatave do të shpërfaqin problemet vetjake me meshkujt, fëmijët, shtatzënitë apo mungesën e tyre.

Regjisori Donard Hasani thotë për Gazetën "Si" se kjo vepër në thelb pasqyron marrëdhëniet nënë-fëmijë dhe dilemën mbi zgjedhjen e të qenit ose jo nënë.  

“Gjithçka lidhet me marrëdhëniet nënë-fëmijë. Njërës i ka ikur djali dhe nuk kujtohet më për të. Tjetra ka 5 fëmijë dhe nuk administron dot gjithçka. Tjetra do të bëjë fëmijë, por dështon në çdo rast. E fundit ngel shpesh shtatzënë pasi kryen marrëdhënie të pakontrolluara me meshkuj”, shprehet Hasani për Gazetën "Si".

Për regjisorin Hasani kjo komedi angleze është mjaft aktuale edhe të shoqërisë sonë, pasi shpalosen problematika që janë halle të përditshmërisë së gjithsecilit.

“Është vepër shumë aktuale pasi personazhet e saj janë njerëz të thjeshtë të ditëve tona. Katër gra punojnë në një qendër që bën shitje online. Janë mosha të ndryshme dhe përgjatë dialogëve me njëra-tjetrën ato shpalosin problematikat që i shqetësojnë të cilat janë halle të përditshmërisë së gjithsecilit”, vijon Hasani.

Gratë operatore vijnë nën interpretimin e aktoreve Shegushe Bebeti, Delinda Disha, Jorida Meta, Françeska Hysi. Aktori Naum Shundi në shfaqjen “Celulë seksuale” vjen në rolin e menaxherit të call center.

Aktori Shundi thotë për Gazetën "Si" se kjo vepër si një komedi nuk i shpëton klishesë së një ‘happy end’.

“Në një ambient që punojnë vetëm gra, Kazuej përpiqet të jetë amortizator, përpiqet që t’i vërë në punë kur ata ia varin punës, përpiqet t’i inkurajojë për ta bërë punën sa më mirë, dhe në fund fare vepra përfundon me happy end duke dhënë mesazhin se pavarësisht sherreve dhe grindjeve, arrihet mirëkuptimi, arrihet harmonia, dashuria, vetëm në qoftë se ne përkushtohemi dhe ndihmojmë, bëhemi solidarë me njëri-tjetrin”, shprehet aktori Naun Shundi për Gazetën "Si".

Aktori Naun Shundi

Mesazhi i gjithë pjesës sipas regjisorit Hasani është se jeta duhet jetuar me të gjitha dimensionet e saj.

“Kjo botë ja vlen të jetohet në të gjithë përmasat e saj pavarësisht se jeta do të ketë gjithmonë humbje, hidhërime, lëndime, por edhe gëzime fitore dhe shpresë”, thotë Hasani.

Regjisori Donald Hasani

Duke i cilësuar mesazhet e kësaj vepre më shumë të karakterit social dhe familjar, aktori Naun Shundi thotë se ky realitet i pasqyruar nëpërmjet kësaj vepre, nuk ka një diferencë të madhe me realitetin shqiptar.

“Për sa i përket realitetit shqiptar, unë për fat të mirë, që në lexim e kam ndier që ky realitet i pasqyruar nëpërmjet kësaj vepre, nuk ka një diferencë, sepse familja gjithandej është njësoj, marrëdhëniet njerëzore janë njësoj. Aq më tepër në këtë periudhë që po kalojmë ku fëmijët pasi kalojnë të 18-tat braktisin familjet dhe komunikojnë me prindërit shumë rrallë, dhe kjo është një nga problemet që ngre kjo vepër, që edhe në familjet shqiptare ndodhin rëndom”, shprehet aktori për Gazetën "Si", ndërsa shton se “jam dakord me pavarësinë, por jo me harresën që kanë këto fëmijë ndaj prindërve të tyre”.

Vepra e suksesshme e dramaturgjisë bashkëkohore, është cilësuar nga vetë autorja A.Longaretti si një komedi e hidhur.

“Kjo komedi na vjen në trajtën e një komedie të hidhur, pasi aty gjejmë drama të forta sociale duke bërë kështu që publiku të ketë momente gazmore, por dhe lot hidhërimi”, përfundon regjisori Hasani për Gazetën "Si".

Komedia “Celulë seksuale” do të jepet gjatë fundjavës në skenën e Teatrit Eksperimental.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë