Libra

Laureati më i diskutueshëm i Nobelit në Letërsi

Mbrojtësit e Peter Handke argumentojnë se pikëpamjet e tij për Serbinë janë të jashtme për arritjet e tij letrare, por një lexim i afërt i prodhimtarisë së tij sugjeron të kundërtën.

Më 10 dhjetor 2019, shkrimtari austriak, Peter Handke mori Çmimin Nobel në Letërsi. Nëse ndjente krenari apo triumf, nuk e tregonte. Papioni i tij i shtrembër sipër një këmishe të bardhë që nuk i shkonte mirë, me sy të pabuzëqeshur pas syzeve të rrumbullakëta, Handke dukej i dorëzuar dhe stoik, sikur po i nënshtrohej një procedure mjekësore shqetësuese. Ndërsa pranoi çmimin e tij, disa nga të pranishmit – jo të gjithë u bashkuan në duartrokitje – u shfaqën po aq të zymtë.

Handke e filloi karrierën e tij, në vitet 1960, si provokator, me vepra teatrale absurde që shmangnin veprimin, karakterin dhe dialogun që sipas fjalëve të një kritiku ishin “përfolje anonime, kërcënuese”. Një nga shfaqjet e tij të hershme, me titull “Offending the Audience” përfundon me aktorët që shajnë spektatorët. Në dekadat në vijim, teksa prodhoi dhjetëra drama dhe romane, ai i ktheu eksperimentet e tij me gjuhën nga brenda, duke eksploruar mundësitë dhe kufizimet e saj në evokimin e ndërgjegjes njerëzore. W. G. Sebald, i cili ishte thellësisht i ndikuar nga Handke, shkroi: “Zhanri specifik narrativ që ai zhvilloi pati sukses në sajë të saktësisë së tij plotësisht origjinale gjuhësore dhe imagjinatave”.

Romanet e Handke, të cilat ai i ka quajtur “ekskursione narrative ose ekspedita me një njeri”, shpesh paraqesin një njeri që ndan karakteristikat me autorin, ndërsa reflekton mbi atë që sheh ndërsa udhëton nëpër një peizazh. Episodike, me shtrirje të gjata në të cilat ka pak ose aspak veprim, rrëfimet lindin nga një sërë takimesh – me njerëz, kafshë ose thjesht ide – që gradualisht fitojnë kuptim. Në “Repetition” (1986), e konsideruar shpesh si kryevepra e Handke, mjedisi është atdheu i nënës së tij – Sllovenia, atëherë pjesë e Jugosllavisë komuniste.

Në romanin e tij të fundit që do të shfaqet në anglisht, “The Fruit Thief”, i cili u botua në gjermanisht në 2017 dhe është përkthyer nga Krishna Winston, jemi në fshat në veri të Parisit, jo shumë larg periferisë ku Handke ka jetuar për tridhjetë vitet e fundit.

Këto novela, në fokusin e tyre mikroskopik në perceptimin e narratorit, janë pothuajse në mënyrë agresive jopolitike, por është politika ajo që e ka bërë Handke-n famëkeq, duke prodhuar kritika të shumta në ceremoninë e Nobelit. Në fillim të vitit 1996, gjashtë muaj pasi serbët masakruan më shumë se tetë mijë myslimanë boshnjakë në Srebrenicë – mizoria më e madhe në tokën europiane që nga Holokausti – Handke bëri një udhëtim nëpër Serbi. Në udhëtimin e tij, ai solli librin me titullin “Një udhëtim në lumenj: Drejtësia për Serbinë”. Handke përbuzi gazetarët perëndimorë që raportonin nga Jugosllavia, duke i akuzuar ata për paragjykim dhe korrupsion. Në rrëfimin e tij, serbët shfaqen si mikpritës simpatikë, të kulturuar, ushqimi i tyre i shijshëm, por rrethanat e tyre politike të turbullta.

Libri “A Journey to the Rivers, Justice for Serbia”

Pati zemërim nga gazetarët dhe kritikët, por Handke nuk reagoi. Në pranverën e vitit 1999, ndërsa aleatët e SHBA-së dhe NATO-s filluan një fushatë bombardimi që synonte të dëbonte serbët nga Kosova, ai vizitoi Beogradin për të demonstruar mbështetjen e tij për regjimin e Slobodan Millosheviçit. Disa muaj më vonë, sipas gazetarit amerikan Peter Maass, Handke-s iu dha një pasaportë jugosllave. Kur Millosheviqi vdiq, në vitin 2006, Handke mbajti një eulogji në funeralin e tij.

Njëzet e tre vjet pasi Handke u fut për herë të parë në këto ujëra të trazuara, shpallja e çmimit të tij Nobel solli një kor të mëtejshëm denoncimi. Studiuesja e Holokaustit Deborah Lipstadt shprehu shqetësimin se çmimi do t’i jepte legjitimitet pretendimeve të tij të rreme; ish-ambasadorja e OKB-së, Samantha Power, e cila kishte raportuar për Srebrenicën si gazetare, shkroi në Twitter se gjenocidi ishte një “fakt i pamohueshëm”. Një anëtar i Akademisë Suedeze njoftoi se do të bojkotonte procedurat. Handke mbeti i paprekur. Kur Maass u përball me të në konferencën për shtyp Nobel, Handke i hodhi poshtë pyetjet e tij si “boshe dhe injorante”.

Mbrojtësit e Handke argumentojnë se aventura e tij serbe është në thelb një ekskretencë, me pak ndikim në punën e tij. E përditshmja austriake Die Presse mendonte se, duke qenë se vepra e Handke ishte “konsideruar prej kohësh pjesë e letërsisë botërore”, fakti i trishtuar që ai kishte “humbur rrugën në gjirin e Ballkanit” nuk duhet ta skualifikonte atë nga Nobeli. Megjithatë, ndoshta cilësia më e veçantë e artit të Handke është se ai ka qenë gjithmonë i pandashëm nga personaliteti i krijuesit të tij. Një koleksion i ri i eseve të tij, “Vendet e qeta” tregon se, pavarësisht nëse Handke e etiketon një vepër trillim apo jofiction, teknika e tij mbetet pothuajse e njëjtë – toni diskursiv, rrëfimet gërvishtëse dhe asociative, këndvështrimi i brendshëm dhe subjektiv. Në të vërtetë, Handke ka thënë se ai shkroi për Serbinë “pikërisht siç kam shkruar gjithmonë librat e mi, letërsinë time: një tregim i ngadalshëm, kërkues; çdo paragraf që trajton dhe rrëfen një problem, të përfaqësimit, të formës, të gramatikës – të vërtetës estetike. Në vend të një largimi nga vepra e tij letrare, pozicioni i Handke për Serbinë mund të jetë një pjesë e tij – një pasojë logjike e eksperimentimit postmodern për të cilin ai është nderuar prej kohësh.

“The beginning of my writing”, Handke ka thënë se ishin “historitë që tregoi nëna ime”. I lindur në vitin 1942 në një qytet provincial të varfër në Austrinë jugore, djali i paligjshëm i nënës së tij dhe dashnorit të saj të martuar, ai u rrit nga nëna e tij dhe një njerku abuziv. Ngushëllimi i tij si fëmijë ishin rrëfimet e saj për njerëzit nga vendlindja e saj, të njohur vetëm si Stara Vas, ose Fshati i Vjetër.

Në vitin 1971, disa vjet pasi Handke botoi romanin e tij të parë, nëna e tij, e cila vuante nga dhimbja e kokës dhe depresioni, vrau veten, në moshën pesëdhjetë e një vjeç. Pas kësaj, Handke botoi “A Sorrow Beyond Dreams” që është një nga librat më të njohur të tij. Kthimi i Handke në qytetin e tij të lindjes për funeralin e nënës së tij dhe gjithashtu hetimi i tij i jetës së saj, i cili shpejt bëhet një hetim i kufijve të gjuhës për të shprehur atë që ai dëshiron të komunikojë. I përfunduar në vetëm dy muaj, teksti ka një cilësi të furishme dhe të nxitur. “Mamaja ime ka vdekur për gati shtatë javë; Më mirë të nisesha në punë përpara se të më shuhej nevoja për të shkruar për të, të cilën e ndjeva aq fort në funeralin e saj dhe të bie përsëri në gojën e shurdhër me të cilën reagova ndaj lajmit të vetëvrasjes së saj”, thotë ai në fillim.

“Repetition” u frymëzua gjithashtu nga jeta e nënës së Handke.

Disa admirues të dikurshëm të Handke-s janë përpjekur ta shpjegojnë fiksimin e tij me Serbinë si të nxitur nga zhgënjimi për shpërbërjen e “Jugosllavisë së madhe” që tregimet e nënës së tij e kishin nxitur atë ta çmonte. “Pas vitit 1991, Handke kishte nevojë për një mit të ri dhe ai e zbuloi atë në Serbi”, shkroi JS Marcus në The New York Review of Books në vitin 2000. Handke preferon të identifikohet me keqbërësin, pasi ai e perceptonte Serbinë si përballë Perëndimit. Dhe ai ka thënë se kur Sllovenia shpalli pavarësinë ishte “sikur të kisha humbur shtëpinë time, e cila u bë një shtet, ku në të vërtetë kishte vetëm një popull dhe një peizazh”.

Marrë nga The New Yorker, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë