Erion Braçe thirri në një interpelancë ministren e Bujqësisë, Frida Krifca për dy çështje. E para ishte teknike dhe lidhej me mosrealizimin e një projekti vaditjeje në zonën e Divjakës, të cilën mbulon deputetit socialist. Çështja e dytë lidhej me rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore.
Braçe tha se çmimet e inputeve janë shtrenjtuar me tre herë dhe rritja në faturë, sipas tij, nuk vjen vetëm për shkak të krizës së përgjithshme të çmimeve të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
LEXO EDHE:
- Braçe akuzon “kartelet”: Po diktojnë çmimet e plehrave kimike dhe të fruta-perimeve. Të rinjtë po braktisin bujqësinë
- Rritja e çmimeve të perimeve, Braçe: Jo nga fermerët! Tregtarët po abuzojnë
“Qeveria është dorëzuar, ka ngritur duart lart dhe po përsërit vetveten duke thënë s'kemi ça bëjmë është tregu'. Tregu është i kapur dhe i përqendruar. Janë 2-3 kompani që zotërojnë 95-98 për qind të tregtisë së një produkti. Nuk bëjnë tregti të lirë. Agro Blend dhe MBM zotërojnë 92 për qind të tregut të URE-së dhe 98 për qind të tregut të DAP-it, Agrohelm dhe Besniku 93 për qind të tregut të nitratit”, tha Braçe.
Ai akuzoi se këto monopole janë krijuar me vendime qeverie, ndërsa më pas radhiti edhe dy problematika të tjera.
“Gruri del me humbje, misri me fitim që nuk arrin pagën minimale. Blegtoria, lopët dalin me humbje. Mishi, edhe ai më i liri, siç është mishi i derrit del me fitime që nuk kapin pagën minimale”, tha Braçe.
Ministrja Krifca u përgjigj duke thënë se bujqësia është vënë në pozicion të vështirë prej rritjes së çmimeve të inputeve, nisur nga vendosja në pikëpyetje e prodhimit dhe të zinxhirit të furnizimit me këto produkte. Ajo tha se Ministria është në kontakte të vazhdueshme me aktorët e këtij sektori, importues dhe prodhues.
“Jemi duke u bërë presionin e duhur aktorëve që të mos ketë abuzime me çmimet në treg”, tha Krifca.
Ministrja përmendi paketën e ndihmës për naftën. Ajo tha se në skemën për marrjen e naftës falas kanë aplikuar deri më tani mbi 23 mijë fermerë, me një vlerë totale mbi 7 mln litra naftë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.