Libra

Autorja ukrainase shkruan libër në bunkerët e Kievit, të ardhurat do shkojnë për fëmijët në luftë

“Ndërsa po ju shkruaj, raketat po fluturojnë jashtë dritareve të mia dhe në një distancë prej 20 km nga shtëpia ime, agresorët rusë po shkatërrojnë periferitë e Kievit”, thotë autorja Larysa Denysenko në një e-mail. “Mariupol, shtëpia e më shumë se 400,000 njerëzve, ka mbetur pa ujë, ngrohje dhe ushqim për shkak të shkeljeve të ligjit ndërkombëtar humanitar. Një fëmijë vdiq sot nga dehidratimi”.

Denysenko, një shkrimtare, avokate dhe aktiviste ukrainase, po dërgon e-mail në lidhje me librin e saj për fëmijë “Maya and Her Friends”, ilustruar nga artistja ukrainase Masha Foya, e cila do të publikohet nga Bonnier Books UK në prill. Të gjitha fitimet e kompanisë nga libri do t’i dhurohen Unicef-it dhe përpjekjeve të tyre për të mbështetur fëmijët e Ukrainës në pushtimin e vazhdueshëm.

“Maya and Her Friends” u shkrua në vazhdën e aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014 dhe pushtimit nga Rusia të një pjese të rajoneve Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës. Historia e fëmijëve dhe e jetës së tyre të ndryshme në shtëpi ka marrë një jehonë të re gjatë konfliktit, ndërsa familjet ikin dhe ndahen.

Për edicionin e ardhshëm të librit, – i cili gjithashtu po botohet në Finlandë, Poloni dhe Gjermani më 12 prill – Denysenko ka shtuar një hyrje të re, të shkruar nga korridori në të cilin ishte fshehur me nënën dhe qenin e saj gjatë një sulmi me raketa.

Denysenko, një anëtare e organizatës për të drejtat e njeriut “PEN Ukraine”, donte t’i shtonte librit për të folur për “si ka ndryshuar fati i fëmijëve për shkak të luftës që gjymton jetën e njerëzve në Ukrainë”.

“Unë mendoj se historia në vetvete është gjeniale”, tha botuesja e Denysenko në Mbretërinë e Bashkuar, Helen Wicks. “Larysa është një komunikuese shumë e talentuar dhe mendoj se historia ka një rezonancë të tillë”.

Shkrimtarja Larysa Denysenko

Botuar fillimisht në vitin 2017 në Ukrainë, me emrin “Maya and Her Moms”, libri është historia e një klase nxënësish, secili me një lloj familjeje të ndryshme. Ai u bë bestseller në vend, por pati kritika për portretizimin e një vajze të re me dy nëna; Denysenko, Foya dhe botuesit ishin subjekt i kërcënimeve dhe ngacmimeve.

UNICEF vlerëson se qindra mijëra fëmijë janë në mesin e refugjatëve që kanë ikur nga Ukraina, dhe prej tyre “shumë janë të pashoqëruar ose janë ndarë nga prindërit ose anëtarët e familjes”. Mesazhi qendror i librit, pra, është më i rëndësishëm se kurrë, me Denysenko që thotë se ajo e shkroi atë për të “ndihmuar çdo fëmijë në Ukrainë të ndihet i mbrojtur, pavarësisht nëse ka baba dhe nënë, ose vetëm një nënë, ose dy nëna, ose dy baballarë, ose njerkë ose njerkun”.

Libri “Maya And Her Friends”

Denysenko mbetet në Kiev – dhe prej andej ajo është e vendosur të nxjerrë librin e saj. “Unë besoj se diplomacia kulturore, gjuha e librave, mund t’i ndihmojë njerëzit të ndjehen, të luftojnë për jetët e njerëzve të tjerë”, thotë ajo.

“Me këtë libër dua t’u bëj thirrje njerëzve të botës demokratike: ne jemi këtu, jo larg jush, ne jemi njerëz të lirisë dhe paqes. Ne kurrë nuk kemi sulmuar një vend tjetër. Fëmijët tanë janë të talentuar, të guximshëm, të bukur dhe të fortë. Ne meritojmë që e gjithë bota të bashkohet me ne në luftimin e luftës dhe kundër vrasjes së fëmijëve.

“Nuk mund të luftoj me armë në dorë, por fjala ka rëndësi edhe në këto rrethana”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë