Bashkimi Europian është duke diskutuar një paketë ekonomike e financiare për të adresuar krizën e çmimeve që ka përfshirë kontinetin pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell tha nga Tirana se pjesë e këtij plani do të jetë edhe Ballkani Perëndimor.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së tha megjithatë se askush të mos presë se plani ekonomiko-financiar i Brukselit të zgjidhë dhe adresojë të gjitha problematikat e tregut dhe të çmimeve që janë thelluar pas nisjes së luftës.
“Ne gjatë pandemisë e mbështetëm Shqipërinë. Është e vertetë që në fillim ishim të ngadaltë në mbështetjen tonë, por nëse do të ketë një plan, do të përfshijë me patjetër Ballkanin Perëndimor, por mos mendoni se do të jetë një plan ekonomike për t’i dhënë përgjigje të gjitha sfidave brenda natës”, shtoi ai.
Borrell tha se rritja e çmimeve është për të gjitha vendet dhe solli si shembull faturën e vet personale për energjinë elektrike në Spanjë.
“50 euro paguaja më parë, tani ka shkuar në 500 euro fatura. Nafta është më shumë se 2 euro litri në Bruksel, një rritje 25 për qind të naftës. Megjithatë, ne e dimë që kriza godet më fort vendet e varfra. Ka shqetësime mjaft të mëdha në lidhje me rritjen e çmimeve. Lufta ka krijuar një ndërprerje shumë të madhe në zinxhirin tregtar, por këto nuk janë pasoja e të qënit në krah të sanksioneve, nuk ka të bëjë me sanksionet”, u shpreh Borrell.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




