Fëmijët po zhduken dhe rastet e trafikimit të qenieve njerëzore raportohen nga grupet e ndihmës dhe vullnetarët përgjatë kufijve të Ukrainës në mes të kaosit të krizës së refugjatëve të shkaktuar nga pushtimi rus.
Organizatat bamirëse dhe grupet e të drejtave që punojnë në vendet fqinje për të pritur refugjatët thanë se kishin parë raste të trafikimit, fëmijëve të humbur, zhvatjes dhe shfrytëzimit, ndërsa më shumë se 2.5 milionë njerëz kaluan në vendet fqinje për t’i shpëtuar dhunës në përshkallëzim.
Karolina Wierzbińska, një koordinatore nga Homo Faber, një organizatë e të drejtave të njeriut në Lublin, Poloni, tha se kishte parë raste të fëmijëve që dërgoheshin vetëm nga prindër të dëshpëruar për të takuar të afërmit ose miqtë përtej kufirit ukrainas dhe që mbërrinin pa njeri që t’i takonte.
“Kjo është padyshim jashtëzakonisht shqetësuese për një fëmijë dhe mund t’i bëjë ata të enden nëpër stacion vetëm, të çorientuar dhe në skenarin më të keq, duke u zhdukur fare. Ky, për fat të keq, nuk është një rast hipotetik, tashmë ka ndodhur”, tha ajo.
“Ne po marrim gjithashtu raporte për raste të trafikimit të qenieve njerëzore dhe grave që u ofrohet punë në Poloni vetëm për të gjetur se vendi i punës është i paligjshëm, punëdhënësi po i keqtrajton ato, duke refuzuar t’ua paguajë pagën në kohë. Ka raste të zhvatjes së dokumenteve personale apo parave”.
Homo Faber ka punuar në të katër pikat e kalimit kufitar për të zbutur rreziqet dhe ka krijuar një linjë ndihmëse 24 orëshe, e drejtuar nga vullnetarë që dinë gjuhën, të trajnuar për të mbështetur gratë dhe fëmijët që kalojnë kufirin.
“Ne mendojmë fort se informacioni duhet të arrijë tek gratë përpara se të kalojnë në Poloni”, tha Wierzbińska. “Këta janë njerëz që kanë të bëjnë me trauma të rënda. Sa më shpejt të ndërgjegjësohen për situatën që i pret në Poloni, aq më shumë kohë kanë për ta përpunuar atë”.
Pothuajse në çdo stacion treni pranë pikave kufitare, turma njerëzish, shpesh burra, mbajnë tabela kartoni që u ofrojnë refugjatëve shoqërim drejt destinacioneve anembanë Europës.
Wierzbińska tha se ishte e pamundur të kontrollohej çdo person që ofronte për të çuar refugjatët te miqtë ose familja përpara se ata të merrnin njerëzit.
“Unë mendoj se 90% e atyre burrave ishin njerëz me qëllime të mira që ofronin ndihmë të vërtetë. Sidoqoftë, vetë situata ishte jashtëzakonisht kaotike, potencialisht e frikshme për këdo, e lëre më për një person tashmë në ankth. Nuk mund të përjashtojmë që një pjesë e njerëzve në turmë ishin thjesht kriminelë, që prisnin të përfitonin nga gratë”, tha ajo.
Rojet kufitare polake kanë ndihmuar në shpërndarjen e fletëpalosjeve të organizatës, të cilat detajojnë se si t’i mbani të sigurta dokumentet personale, si të përgatiten për të udhëtuar nëpër stacione treni të ngarkuar me fëmijë dhe çfarë të bëjnë nëse dikush ju ofron një udhëtim, por ndryshon destinacionin gjatë udhëtimit.
Në pikëkalimin kufitar sllovak në Vyšné Nemecké, vullnetarët thanë, teorikisht, njerëzit që u ofrojnë refugjatëve ndihmë duhet të paraqesin ID-në dhe targat e veturës në mbërritje përpara se të lejohen të marrin dikë nga kufiri. Në realitet, kjo ishte e pamundur të bëhej në çdo rast.
Monika Molnárová, nga ekipi i Caritas Sllovaki për ndalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, tha se njësia kombëtare e Sllovakisë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore po punonte në kufi dhe kishte ndërhyrë për të mbrojtur gratë dhe fëmijët në raste të dyshuara.
“Rreziku i trafikimit është i konsiderueshëm, pasi refugjatët, të rraskapitur dhe të privuar nga çdo rehati elementare, janë, çdo ditë të re në rrugë, gjithnjë e më të prekshëm. Ne besojmë se trafikantët dhe rekrutuesit me shumë mundësi synojnë si gratë që udhëtojnë vetëm ashtu edhe gratë që udhëtojnë me fëmijë”, tha ajo.
Në një kamp të përkohshëm për refugjatët pranë kufirit, të drejtuar nga autoritetet sllovake, menaxheri i kampit Sergej Savin tha se ata nuk lejuan transportin ‘ad hoc’ të njerëzve nga vendi. Ai shtoi se kishte njerëz që ishin paraqitur duke ofruar udhëtime.
“Në disa raste, nuk ishte mirë. Për shembull, ishte një burrë, ai donte vetëm një grua dhe katër fëmijë. I thashë të shkonte. Ne nuk mund ta bëjmë këtë kështu”, tha ai.
Të martën, për shkak të shqetësimeve rreth trafikimit të qenieve njerëzore, qeveria polake prezantoi ndryshime në një projektligj të sapo miratuar, i cili përshkruan përgjigjet e Polonisë ndaj krizës së refugjatëve, njoftoi Agjencia Polake e Shtypit. Amendamenti ngriti dënimin minimal për trafikimin e qenieve njerëzore nga tre në 10 vjet dhe dënimin maksimal me burgim për trafikun seksual të fëmijëve nga 10 në 25 vjet.
Zëvendësministri i Brendshëm i Polonisë, Maciej Wąsik, tha: “Ne duam të dërgojmë një mesazh të qartë për kriminelët që po përpiqen të shfrytëzojnë tragjeditë e refugjatëve”.
Unicef, agjencia e OKB-së për fëmijë, tha se ndërsa vendimi i qeverisë polake për të hapur kufirin kaq plotësisht për refugjatët ukrainas ishte për t’u duartrokitur, “ai paraqet sfida” në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve.
Zakonisht OKB-ja do të regjistronte refugjatët në kufi dhe do të identifikonte njerëzit e cenueshëm si fëmijët e pashoqëruar. “Tani, padyshim, për shkak të shkallës së madhe të numrave që po vijnë dhe faktit që kufijtë janë efektivisht të hapur, kjo nuk po ndodh, gjë që e bën tepër të vështirë identifikimin e fëmijëve që janë të pashoqëruar dhe të ndarë”, tha Joe English, një zëdhënës i Unicef. Ai tha se agjencia po krijonte një sistem të hapësirave të sigurta me “pika blu” për fëmijët në shtatë vende që pranonin refugjatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



