Irena Beqiraj

Rezerva e sigurisë edhe çmimi i naftës


Për të kuptuar a mundet që rezerva të ndikojë në uljen e çmimit, po e filloj me fjalët e Shoqatës së Hidrokarbureve.

Sipas shoqatës (2019) "...deri më sot, nga krijimi i sektorit, kompanitë kanë mbajtur atë që njihet si rezervë sigurie. Ishte fillimisht 30 ditë mesatare shitjeje dhe më pas u bë 90 ditë. Çdo fillim viti, Ministria e Energjisë, në bazë të shitjes që ka pasur kompania një vit më parë, përcakton kuotën sa duhet të jetë rezerva e sigurisë."

Pra, 62% të rezervës duhet t’i sigurojë kompania A edhe B .

Më tej, Shoqata sqaron që: "Kjo rezervë njihet në sasitë që ndodhen në pikat e karburantit, sasinë në depozitë bregdetare (magazinat e lira si Porto Romano) dhe sasinë në udhëtim".

Pra nëse dikush mendon se rezerva mbahet diku në ruajtje, edhe është shtesë mbi sasitë që gjenden në magazina apo pika shitje, e ka gabim. Kompanitë e shumicës përmbushin kushtet ligjore të rezervës me sasinë që kanë gjendje në pikat e karburantit, në magazinën e lirë, apo në anije .

Kjo mënyrë llogaritje dhe mbajtje na siguron në rastin më të mirë që kemi naftë për 90 ditë, por aksesi nuk ofron asnjë mekanizëm në duart e qeverisë për të  "ulur çmimin ".

Sërish çmimin me të cilin shitet 1 litër e kësaj rezerve do ta përcaktonte bursa edhe kompania  A+B.   

Nëse rezerva do të krijohej nga qeveria, apo do të kishte një Agjensi të mbajtjes së saj, të krijuar nga  qeveria bashkë me furnizuesit, atëherë me hedhjen në treg të pjesës zotëruese të qeverisë, mund të tentohej për një stabilizim të çmimeve në afat të shkurtër (siç është në SHBA ). Në afat të gjatë çmimi  më i ulët arrihet me anë të konkurrencës, duke prishur oligopolin.

Me gjithë kritikat e vazhdueshme të Sekretariatit të Energjisë për mënyrën e ruajtjes edhe llogaritjes së rezervës, edhe mbikëqyrjes së saj, nuk kemi qenë në gjendje të ndryshojmë gjë, me gjithë përpjekjet për të ngritur një Agjensi të rezervës hidrokarbure në vitin 2019.

Një shprehje e urtë thotë, “Rregulloje çatinë sa është kohë e mirë”, dhe për ketë arsye ne shtëpinë tonë ç’bie jashtë brenda pikon. Sot qeverisë i ka mbetur t'u lutet A-së edhe B-së të vendosin dorën zemër e të bëjnë sevap me fitimet e tyre .

Unë ju ftoj edhe juve të lutemi që pronareve të kompanisë A edhe B, Perëndia t'ju jap mendjen e Hajrit!


Copyright © Gazeta “Si”