Nga Gisela Troplini – Ministria e Bujqësisë ka pranuar se ka zgjedhur skemën e rimbursimit të fermerëve sipas numrit të krerëve që ata posedojnë dhe jo atë që kishte deklaruar publikisht më parë, rimbursim lekë për çdo litër qumësht të prodhuar.
Në një përgjigje për Gazetasi.al, Ministria tha se është bërë kjo zgjedhje për shkak të lehtësisë që ka në zbatim, në mënyrë të drejtpërdrejtë tek fermerët.
“Pagesa për prodhim qumështi nuk është stimuluese për të imtat. Një pjesë e madhe e fermerëve në zonat e thella rurale nuk sigurojnë dot fatura dhe nga ana tjetër një pjesë e subjekteve përpunuese të qumështit janë sezonale dhe i paguajnë fermerët pasi kanë shitur djathin apo nënproduktet e përpunimit, pra ndoshta edhe pas 6 muajsh nga momenti i marrjes së qumështit prej tyre”, deklaron ministria .
Gjatë muajit shkurt kjo skemë shkaktoi debat dhe nervozizëm nga fermerët pasi atyre i ishte premtuar skema e rimbursimit lekë për litër dhe jo lekë për krerë.
Këtë premtim ministrja Krifca e kishte dhënë gjatë takimit me fermerët, por edhe komisionin ndërparlamentar të ekonomisë për financimin e fermerëve 2022. Më pas në VKM-në e miratuar në shkurt të këtij viti, kjo skemë nuk përmendej. Fermerët e quajtën këtë si padrejtësi nga ministrja.
Lidhur me këtë ndryshim, përfaqësues të Ministrisë thanë për Gazetasi.al se në komision diskutohen politikat e mundshme sipas interesave të pjesëmarrësve aty.
Sipas ekspertit të Bujqësisë, Ervin Resuli, skema e financimit sipas litrave të qumështit sjell më shumë para për fermerët dhe nuk i kushtëzon ata. Gjithashtu, kjo lloj skeme sjell financim direkt për ta.
Por përveç se ndryshoi skemën, ministria ndryshoi edhe një tjetër kriter. Rriti tavanin për numrin e krerëve që përfitojnë financim. Më herët kur ishte aplikuar kjo skemë, fermerët duhet të kishin mbi 5 krerë lopë, që tani është bërë 10 dhe mbi 70 krerë dele që tani është bërë mbi 100.
VKM-ja e sapomiratuar, cakton se blegtorët do të financohen sipas numrit të krerëve, jo më pak se 100 dele apo dhi, me vlerën e 1.200 lekë për kokë, por jo më shumë se 360.000 lekë për subjekt. Jo më pak se 10 lopë me vlerë 10.000 lekë për kokë, por jo më shumë se 500.000 lekë për subjekt.
Fermerët po prisnin rikthimin e skemës së 2019-s, siç i ishte thënë nga ministrja, rimbursimi për litër qumështi, por këtë herë pa limit. Hera e fundit që kjo skemë u përdor ishte nën drejtimin e Bledi Çuçit si ministër i Bujqësisë dhe sipas VKM-së së atij viti përcaktohej, 10 lekë për litër qumështi për fermat me jo më pak se 10 lopë, por jo më shumë se 700.000 lekë për subjekt. Për fermat me dele apo dhi, përdorej financimi i krerëve, me 1.000 lekë për kokë për jo më pak se 100 dele/dhi.
Fermerët, në ditën e dytë të protestave, në atë që e kanë quajtur “Pranvera e Protestave”, përveçse kërkojnë rikthimin e skemës së vjetër, kundërshtojnë ndryshimet në atë të miratuar, ku është rritur tavani i krerëve për të përfituar. Nga 70 krerë dele/dhi është bërë 100 dhe nga 5 krerë lopë është bërë 10.
Sipas tyre, rritja e numrit të krerëve për tu përfshirë në financim penalizon dhe lë pas dorë shumë blegtorë që nuk e arrijnë atë numër ose mund të jenë në kufi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.