Editorial

Spekulimi fle në Ministrinë e Financave, spekulantët në pikat e karburantit

Rritja e çmimit të karburanteve në Shqipëri, brenda një nate, pas një jave dramatike, kur tregjet ndërkombëtare raportonin ulje të çmimit të energjisë eletrike dhe naftës, është spekulative.

Po se në çfarë përmasash është ky spekulim asnjë institucion zyrtar nuk ka pasur kurajon dhe as aftësinë profesionale ta tregojë.

Kur edhe Autoriteti i Konkurrencës, si emri më i familjarizuar për publikun për profilin, nuk mori pozicion për të hetuar mundësitë e spekulimit që po u grin xhepat qytetarëve më të varfër të Europës, një terr informativ me shumë gjasë ka mbuluar shumicën nga ne.

Tabloja do të ishte pa shpresë nëse nuk do të dinim që ekziston brenda qeverisë dhe një Ministri Financash. Ky gardian i fondeve publike dhe që ka tagrin të vendosë sa sa e qysh duhen taksuar shqiptarët, ka sot të gjitha mundësitë të kryejë një hetim.

Ministria e Financave ka Doganën dhe prej tyre mund të marrë informacione të bollshme për çmimet e hyrjes së karburanteve në doganë e për kohën kur kanë hyrë. Ka Tatimet për të mësuar rezervat në tregun e brendshëm. Ka hetim financiar, krimin ekonomik dhe njësi të tjera që mund të na japin një ide të plotë me shifra të sakta nëse ka spekulim.

Gazetasi.al sot ka kërkuar me këmbëngulje informacione zyrtare për të dhënat në lidhje me tregun e karburanteve, por Ministria e Financave e përkundur në djepin e kënaqësisë fëminore fle edhe pse jashtë në rrugë Shqipëria po zien. Asnjë informacion, asnjë shprehje publike rreth situatës.

Çmimi i naftës ka kapërcyer edhe kufirin psikologjik nga njëra dhe ana tjetër ka prodhuar valë inflacioni të lartë në gjithë zinxhirin e furnizimeve. Ndaj shqiptarët kanë të gjithë të drejtën njerëzore dhe biblike (të Zotit) të besojnë se këtu ka spekulim.   

Dhe duke besuar se kemi krijuar institucione që kanë detyrim kushtetues t’i përgjigjen publikut e veçanërisht medias në çdo çast të ditës, ne ende kemi durimin të presim që ato me dinjitet profesional dhe integritet politik të shprehen dhe të japin llogari.

Nga ana tjetër sot janë hedhur në forume (qoftë edhe digjitale) mjaft ide për të lehtësuar barrën që vjen nga rritja e çmimit të karburateve. Mund të ketë edhe opsione, skema, mënyra, rrugë që, politika fiskale apo skema financiare që të japin një mundësi për të ulur koston. Qeveritë në disa vende të botës, dhe pothuajse të gjitha në rajon, kanë  ndërmarrë masa konkrete. Por asnjë politikë, asnjë ide, asnjë vendim, asnjë fjalë nuk ka dalë nga institucioni më i rëndësishëm i qeverisë, e as nga ministrja që është krahu i majtë i kryeministrit në kabinetin qeveritar.

Megjithëse rritja kaq e shpejtë dhe kaq e lartë e çmimit të karburanteve nuk është për t’u neglizhuar, një spekulim edhe më i madh na shqetëson.

Heshtja në këto kohë lufte që buron nga Ministria e Financave është një spekulim edhe më i madh që nga njëra anë rrëmon te të ardhurat e familjeve shqiptare dhe nga ana tjetër gërryen besimin e publikut tek institucionet e votuara dhe të zgjedhura prej tij.

Shkëlqim Cani është me socialist se Edi Rama dhe Ridvan Bode po aq blu sa Sali Berisha. Por të dy këta ish-ministra financash patën integritetin profesional, njerëzor dhe politik sa të dilnin qoftë edhe njëherë kundër rrymës së maxhorancës. I pari nuk firmosi për inceneratorët, i dyti për Rrugën e Kombit, të dyja gropa të mëdha që gëlltitën më babëzi paratë publike e për të cilat ka pasur edhe hetime.

Ministrisë së Financave edhe mund t’i falet heshtja, sepse sot ka më shumë vlerë veprimi. Por mungesa e vizioneve, projekteve dhe paaftësia për të kryer punët publike të ngarkuara dhe  mungesa e llogaridhënies ndaj publikut janë spekulim që buron prej aty e doemos do të përfundojë edhe tek pompa e naftës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë