Pas përfundimit të protestës së zhvilluar në kryeqytet për rritjen e çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës ka reaguar Policia e Shtetit.
Në njoftimin e saj, policia i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos përshihen në akte dhune dhe paligjshmëri, sepse do të përballen me forcën e ligjit.
"Nisur nga situata e krijuar sot, në disa rrugë, në të cilat pati bllokime të lëvizjes së lirë të automjeteve dhe të qytetarëve, si dhe kundërshtime ndaj punonjësve të Policisë që ishin në detyrë për të siguruar rendin e qetësinë, si dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, bëjmë me dije se është e vendosur të marrë masa ndaj çdo paligjshmërie dhe të procedojë penalisht çdo person që kryen akte në dëm të qytetarëve apo të lëvizjes së lirë të tyre, siç ishte dhe rasti i sotëm i bllokimit të disa rrugëve", thuhet në njoftim.
Më tej në njoftimin e Policisë së Shtetit është në gatishmëri të plotë për sigurimin e rendit dhe të qetësisë dhe në mbrojtje të çdo qytetari i cili proteston në mënyrë paqësore, pa cenuar të drejtat dhe liritë e të tjerëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.