Pas tre orësh proteste në kryeqytet, qytetarët janë shëndarë ndërkohë që kanë paralajmëruar një tjetër protestë me përmasa më të mëdha në njerëz gjatë ditëve të ardhshme, konkretisht të enjten në orën 17:00. Më herët protestuesit bllokuan dy kahet e unazës së Tiranës, duke fikur automjetet. Qytetarët thanë se manifestimi i tyre do të vijojë pambarim derisa të normalizohet situata.
Përpara bllokimit të rrugëve, protestuesit u mblodhën përpara kryeministrisë, kundër rritjes së çmimeve, duke nisur nga çmimi i naftës, i cili ka pësuar një rritje të konsiderueshme brenda shtatë ditësh.
Njëri prej qytetarëve, u shpreh se qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për rritjen e çmimeve dhe të vendosë një tavan.
“Ju varfëroheni, ata pasurohen, sepse ka çakej që në ditë të errëta duhet të hanë”,shtoi ai.
Protestës ju bashkuan aktivistë, aktorë dhe të tjerë të cilët kërkonin një zgjidhje nga qeveria.
Me pankarta të ndryshme në duar qytetarët kërkuan nga qeveria të ndërhyjnë për të zbutur rritjen e çmimeve.
"Duhet ta kuptoni që e vetmja mënyrë për të bërë këtë qeverisje të përgjegjshme është që qytetarët të ndodhen çdo ditë përpara kësaj zyre derisa çmimet të përballohen nga qytetarët. Kur kryeministri thotë të mos ndërhyjë te privati, ju shihni se si i prish shtëpitë e qyteteve, që janë pronë private. Nëse ka një moment kur shteti duhet ti gjendet qytetarëve është ky. Nuk duhet ta lë në lënie të lirë",tha një tjetër qytetar.
I pranishëm në protesë ishte dhe kreu i sindikatës së taksistëve, Bilbil Cara i cili deklaroi se do të ketë protesta edhe ditën e premte.
“Ne ndjejmë vështirësi. Si t'i shërbejmë një pensionisti ku nafta ka kapur kulmin. Të gjithë taksistëve po u bëhet puna e vështirë. Ata nuk kanë mundësi të ndihmojnë njerëzit në rrugë sepse nafta është bërë shtrenjtë.Nuk krahasohemi me Kosovën dhe Maqedoninë ku taksitë subvesionohen nga shteti",tha Cara.
Ndërkaq dhe një tjetër qytetar që mori megafonin i bëri thirrje socialistëve të bashkohen në protestë.
"Ju drejtohem socialistëve, kur babai juaj, vëllai juaj. Ndez makinën për të marrë furnizim, apo del për qejf, apo për të fituar bukën e gojës, me naftë bëhet gjithçka. Socialistë mos rrini në shtëpi, çohuni! Dilni se do të keni më pak para nga xhepi. Ju socialistë po varfëroheni, miqtë tuaj po varfërohen", tha protestuesi.
Në protestë ishte edhe aktivistja e të drejtave të njeriut Edlira Çepani dhe ka bërë thirrje qytetarëve të ngrihen në protestë.
“Kush nga ju përballon dot më rritje çmimesh?! Kujt nga ju nuk i ka ardhur në majë të hundës me abuzimet që janë bërë me lekët e shqiptarëve dhe taksave. E dimë se ka krizë, luftë, por ka dhe abuzime. Kemi çmimin e karburantit, taksat më të larta të rajonit dhe botë. Është koha që qeveria jonë të marrë masa si në të gjithë vendet e botës. Vendi ynë paguan 1.300 lekë taksa në çdo litër karburant. Është rritur çmimi i bukës, e jo vetëm karburanti.”, tha ajo.
Protesta u mbajtën dhe në qytetin e Durrësit e të Shkodrës, ku qytetarët u mblodhën përpara Bashkive.
Në shenjë proteste, qytetarët fikën makinat në orën 17:00, për të kërkuar ulje të çmimit të hidrokarbureve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.