Politike

Kryemadhi: Mos hani gënjeshtrat e Ramës, por kërkojini të mbajë përgjegjësi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, reagoi pas konferencës për shtyp të kryeministrit Edi Rama lidhur me çmimin e naftës dhe energjinë.     

”Lufta nuk është gjendje psiqike, por shpallet sipas parashikimeve ligjore.

Shqipëria nuk ka shpallur ligjërisht gjendjen e luftës dhe çmimet e karburanteve, energjisë elektrike, taksat e larta, janë të ndikuara vetëm prej vendimmarrjeve të Edi Ramës në krye të qeverisë.

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut, vend i cili nuk prodhon asnjë fuçi naftë, e marrin naftën më lirë dhe cilësisht më të mirë se qytetarët tanë.

Nafta që marrin qytetarët e Kosovës importohet në Durrës, transportohet deri atje dhe në pompa është më e lirë se nafta që marrin qytetarët tanë.

Kaq duhet të mjaftojë për të kuptuar cili është ndikues për shtrenjtimin aktual të karburanteve,  produkte jetike që ndikojnë ekonominë e çdo familje dhe biznesi në vend”, shkruan Kryemadhi në Facebook.

“Ndryshe nga vendet e tjera të Evropës që vuajnë për burime të prodhimit të energjisë, – vijoi ajo, – Shqipëria është e pasur në nëntokën e saj me naftë, dhe burime hidrike për prodhim energjie”.

“Përmes një qeverisje të kujdesshme në menaxhimin e tyre, shqiptarët energjinë elektrike, naftën dhe nënproduktet e saj do duhet t’i merrnin gjithmonë me kosto shumë herë më të përballueshme.

Mos ja hani gënjeshtrat por kërkojini të mbajë përgjegjësi! Sepse, një njeri që edhe plehrat i shikon si mjet për tu pasuruar, siç tregoi afera e inceneratorëve, për të cilin presim SPAK të godasë fortë e lartë, në çdo moment të ushtrimit të funksionit njerëzit i konsideron miza dhe xhepin e vet më të rëndësishëm se ekonomia e familjeve shqiptare”, shkruan ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë