Komiteti Teknik i Ekspertëve pritet të vendosë këtë javë për ndryshimin e masave kufizuese ende në fuqi për shkak të pandemisë së Covid-19. Numri i infektimeve dhe të dhënat nga spitalet janë në ulje, ndaj mjeku epidemiolog Alban Ylli i cili është pjesë e Komitetit, thotë për Gazetasi.al se këtë javë do të ketë diskutime të tjera mbi masat dhe vaksinimet.
Këtë të hënë janë shënuar rastet më të ulëta (36) pas ardhjes së valës së variantit Omicron. Nga ana tjetër shtrimet janë ulur por duket se problem mbeten humbjet e jetës. Sipas epidemiologëve në IShP, duhet që të rriten normat e vaksinimit në mënyrë që të kemi një situatë edhe më të qetë epidemiologjike.
Në vend po qarkullojnë disa infeksione të sipërme dhe të poshtme respiratore, si gripi stinor dhe variantet e Covid-19. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, deklaroi në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë se janë kryer mbi 2.7 milionë vaksinime.
Sipas saj vaksinimi për popullatën mbi 16 vjeç ka arritur në 59.3 % me një dozë dhe mbi 55% me dy doza. Ministrja shtoi se gjatë muajit mars, vendi ynë do të marrë rreth 300 mijë vaksina anti-Covid nga kompania Pfizer. Gjithashtu ajo theksoi se me këtë sasi do të garantohen edhe vaksinat për moshat pediatrike nëse, Komiteti Kombëtar i Vaksinimit do të ketë rekomandim për vaksinimin e fëmijëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




