Analize

Putin po shtrëngon radhët e BE dhe po e shtyn unionin drejt ushtrisë së përbashkët

Parlamenti Europian u mblodh këtë të martë në një seancë të jashtëzakonshme kushtuar Ukrainës, ku në rend të dite ka dhënien e statusit të kandidatit dhe nisjen e procedurave të përshpejtuara të anëtarësimit.

Parlamenti u vu në lëvizje nga kërkesa zyrtare e bërë të hënën nga ana e Kievit. “Ne jemi me ju dhe ky është momenti që ju të tregoni që jeni vërtet me ne”, tha ndër të tjera në mesazhin e dërguar me anë të një lidhje online me eurodeputetet, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Përballë agresionit rus dhe me ngjyra të shumta të flamurit ukrainas në sallë, eurodeputetët shfaqën unitet, ndërsa në fjalimet e mbajtura para tyre, udhëheqësit e unionit vunë theksin te rëndësia e unitetit dhe hapave që duhet të ndërmarrë BE për t’iu kundërvënë Rusisë.

“Ajo se çfarë bëjmë ne sot përballë Rusisë përcakton se si do ta farkëtojmë të ardhmen tonë”, deklaroi Presidentja e KE, Ursula von der Leyen.

Duke kujtuar sanksionet e vendosura me shpejtësi, Von der Leyen paralajmëroi se ato do të shtrihen edhe më ashpërsisht në të ardhmen. “U kemi ndaluar oligarkëve rusë hapësirën ajrore europiane dhe po qe nevoja do t’u sekuestrojmë edhe jahtet, edhe makinat e shtrenjta në rrugët tona”, tha ajo.

Von der Leyen foli me bindje se sanksionet e vendosura do të godasin rëndë ekonominë ruse dhe po me bindje se nga këto sanksione do të dëmtohen edhe ekonomitë europiane. “Por, ky do të jetë çmimi i lirisë, që ne jemi të gatshëm ta paguajmë! Që europianët janë të gatshëm të paguajnë!”, u shpreh Presidentja.

Ajo theksoi nevojën e përshpejtimit të revolucionit dhe shkëputjes së varësisë së theksuar ndaj energjisë ruse. “Jemi duke folur me partnerët tanë, po zgjerojmë kapacitetet e depozitave dhe Norvegjia ka pranuar të rrisë furnizimin për BE. Por, ne duhet të përqendrohemi te energjia e rinovueshme, te energjia solare dhe eolike”, shtoi më tej Von der Leyen.

Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrel u bëri thirrje eurodeputetëve që të rishikojnë ligjet e brendshme të funksionimit të unionit dhe nxjerrjen e tij nga guacka e politikës ‘paqësore’. Borrell iu referua faktit që 500 mln eurot e dhëna nga BE për Ukrainën si ndihmë edhe me armë vdekjeprurëse ushtarake, e para e këtij lloji për Brukselin u miratua brenda 24 orëve nga të gjitha vendet anëtare.

Por, ndihma në fjalë do të ofrohet si fond me kontribut nga të gjitha vendet dhe jo si pjesë e buxhetit të BE-së, që është miratuar nga Parlamenti Europian për këtë vit.

“Prandaj të nderuar deputetë, herën tjetër kur të diskutoni buxhetin mendojeni mirë këtë. Mendojeni mirë që ne na duhet një buxhet i fortë për të siguruar mbrojtjen e vlerave tona, mbrojtjen e demokracisë, mbrojtjen e lirisë tonë”, tha Borrell.

Kryediplomati i BE iu referua këtu ngritjes së ushtrisë së përbashkët të Bashkimit Europian dhe logjika e tij u mbështet edhe nga Presidentja e KE, Ursula von der Leyen. “Nuk mund ta marrim sigurinë për të mirëqenë. Ne duhet të veprojmë dhe këtu duhet përshëndetur vendimi i Gjermanisë për të rritur buxhetin për ushtrinë”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë