Gazeta Si – Shazi Ahmetaj dhe bashkëpunëtori i tij Mateo Kiptiu janë lënë në burg nga Gjykata e Vlorës për vrasjen e 46-vjeçarit Altin Alikaj më 19 shkurt në Vlorë.
Ahmetaj, 23 vjeç u arrestua një javë pas vrasjes bashkë me 30-vjeçarin Mateo Kipkiu, pasi dyshohet se ky i fundit e ka ndihmuar autorin e dyshuar të largohet nga vendi i ngjarjes pas krimit.
Viktima dhe autori i dyshuar kishin njohje me njëri tjetrin. Një nga pistat e hetimit është konflikti për përdorimin e lëndëve narkotike pasi viktima ishte përdorues ndërsa 23-vjeçari Ahmetaj njihet si person me precedentë më fushën e trafikimit.
Gjatë kontrollit në banesën e Ahmetajt policia gjeti një sasi prej 40 gramë heroinë. Një tjetër pistë hetimi është ajo e grabitjes, pasi Alikaj kohët e fundit kishte pasur në duar shuma të konsiderueshme parash.
Prej 8 ditësh Alikaj nuk i përgjigjej në telefon nënës së tij e cila ndodhej Greqi. Ai u shpall i zhdukur pas denoncimit në polici nga kushëriri i tij.
Por ishte nëna ajo që e gjeti të pajetë në banesën e tyre sapo u kthye nga shteti fqinj.
Dyshohet se ai ishte qëlluar me armë në shpatull dhe është goditur me sëpatë në kokë.
Pranë trupit të pajetë u gjet dhe sëpata me gjak. Mësohet se para krimit autori kishte helmuar qenin e viktimës dhe kishte ulur automatin e energjisë. 46 vjeçari, Alikaj jetonte vetëm në lagjen 24 maji. Ai njihej si përdorues droge por pa precedentë penal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




