Gazeta “SI”- Me të dyja palët e dënuara, Shqipërinë e dënuar me 110 milionë euro nga arbitrazhi dhe dhe Francesko Beketin i dënuar me 17 vite burgim, juristët janë të përçarë nëse do të ndikojë apo jo procesi penal të çështjen e arbitrazhit. Disa këmbëngulin se shpallja fajtor i sipërmarrësit italian do të ndikojë direkt në mos ekzkutimin e gjobës së Arbitrazhit kundër Shqipërisë prej gati 100 milionë euro. Të tjerët insistojnë se kjo vendimarrje nuk ka asnjë ndikim. Por cili është qëndrimi i prokurorisë që ngriti disa akuza për Francesko Beketin dhe u ndesh me palët në gjykatën e kryeqytetit?
Për prokurorinë që e hetoi për mëse 7 vjet sipërmarrësin italian Beketi , arbitrazhi nuk ka asnjë ndikim në dosjen penale, ndonëse i’u pranua kërkesa për konfiskimin e shumë llogarive dhe aksioneve të disa prej të pandehurve. Gazeta “Si” siguroi përmes burimeve pranë gjykatës penale procesverbalët e gjykimeve mbi këtë qëndrim të akuzës ku këmbëngulet se procesi penal është autonom nga procesi civil. Por njëkohësisht prokuroria e kryeqytetit kujton se arbitrazhi dha vendime bazuar në shkresa që i ishin vendosur në dispozicion me përmbajtje të falsifikuar.
Së pari theksohet fakti se avokatët vendosën si prova para gjyqtarëve disa vendime të arbitrazhit të formës së prerë ose ekstrakte të vendimeve që nuk kanë marre ende formë të prerë, në të cilat provohet pafajësia e të pandehurve si dhe fakti që arbitrazhi ka vendosur edhe dëmshpërblimin.
“Lidhur me këtë vendimmarrje dhe dëmshpërblimin e vendosur, rezulton se është ankimuar dhe ekzekutimi është pezulluar. Për më tepër, ky vendim është bazuar mbi dokumentacionin e paraqitur nga të pandehurit, i cili, sikurse rezultoi e provuar gjatë gjykimit ka pasqyruar të dhëna të rreme, duke përbërë dokumenta të falsifikuara” argumenton prokuroria.
Në këtë pikë për prokurorinë duhet mbajtur në vemendje procedimi penal i nisur në 2017 mbi akuzën e falsifikimit mbasi ka rezultuar se gjatë 2016 një institucion shtetëror ka kryer një raport tjerër mbi ç’ka po ndodhte në Kalivac, i ideuar në 1997 dhe që përmes marrveshjeve të shumta më pas u kthye në në kazus penal.
“Në relacionin e përgatitur nga specialisti Fetah Dervishi përshkruhet gjendja e punimeve, ndër të tjera edhe zëri “Selektimi i materialit të selektuar” për mbushjen e trupit të digës. Ky person i marrë i pandehur në çështjen penale nr.1564/2014 ka pasur dijeni të plotë se asnjë nga situacionet e punimeve në Hec Kalivaç, nuk janë të nënshkruara nga mbikqyrësi i punimeve dhe këto situata nuk mund të shërbejnë si bazë për të përcaktuar punimet apo vlerën e tyre. Edhe pse ka pasur dijeni të plotë mbi rezultatet e hetimit, ai ka përgatitur raportet e vitet 2016, duke përshkruar në raport të dhëna të rreme”, – këmbëngul prokuroria.
Kjo do të thotë se gjatë argumentimit që ndjek këtë vijë llogjike edhe nga Ministria e Energjetikës është zhvilluar procedura per caktimin e një eksperti për të përcaktuar vlerën e punimeve të kryera në Hidrocentralin e Kalivaçit. “ Nga procedura e prokurimit është zgjedhur si eksperte vlerësuese ekspertja, Vullentare Çela. Nga aktet e ndodhura në dosjen Nr.1564/2014, rezulton se kjo eksperte është kontraktuar dy herë nga shoqëria “Kalivaç Green Energy”, për të bërë vlerësimin për llogari të kësaj shoqërie, gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj në vitet 2012-2013,“ – përmendet më tej .
Ndaj për prokurorinë çmohet se ekzistojnë dyshime se shtetasi Dervishi ka përpiluar raporte të rreme në interes të shoqërisë ”Kalivaç Green Energy”. Por ndërsa hetimet e mëpasshme u pushuan, prokuroria replikon me avokatët me këtë argument: ” Pushimi i çështjes ka ndodhur për shkak se dokumenti nuk ishte përfundimtar në drejtim të verifikimit të zërave të punimeve dhe se në atë procedim nuk është provuar ana subjektive në respektim të dijenisë së personave që po përshkruanin një rrethanë të rreme.”
Debati gjyqësor penal gjatë hetimit të Beketit dhe të akuzuarve të tjerë prek edhe këmbënguljen e avokatëve për t’u administruar si prova vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit, ekstrakti i vendimit të arbitrazhit si dhe ekstrakte të ekspertëve që janë caktuar në gjykimet e Arbitrazhit se dorëzimi dhe administrimi i këtyre provave nuk plotëson kushtet e ligjshmërisë.
“Së pari, neni 71/1 i K.Pr.Penale trajton pasojat e procedimit civil dhe atij administrativ për atë penal. Sipas këtij neni vendimi civil i formës së prerë është i detyrueshëm për gjykatën që gjykon çështjen penale, vetëm përsa i përket faktit nëse vepra ka ndodhur ose jo, por jo për fajësinë e të pandehurit. Duke barazuar vendimin civil të formës së prerë me vendimin e arbitrazhit, nga përmbajtja e dispozitës konstatohet se efekti i vetëm që ligji i ka njohur këtij vendimi civil lidhet me faktin nëse vepra ka ndodhur ose jo dhe në asnjë rast me efekte që lidhen fajësinë apo elementët e tjerë të veprës penale, “- deklarohet nga ana e prokurorisë edhe në pretecën e saj.
Prokuroria këmbëngul në shkresat që ju vendosën gazetës Si : “Natyrshëm mund të deduktohet që vendimi i arbitrazhit të ketë marrë në analizë faktin penal që i atribuohet të pandehurit dhe nuk mund të pretendohet që në atë gjykim të jetë zgjidhur çështja e përgjegjësisë penale të këtij të fundit. Nga natyra e gjykimit civil/arbitrazhit, objekti i mosmarrëveshjes dhe për pasojë objekti i gjykimit janë tërësisht të ndarë dhe lidhen me aspektet e përgjegjësisë civile të palëve në një marrëdhënie kontraktore. Është parim i njohur se gjykimi civil dhe ai penal kanë karakter autonom dhe për më tepër kanë standarte të ndryshme të të provuarit.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.