Komisioni Hetimor parlamentar për incineratorët do të dalë me dy raporte të veçanta në datën 7 mars. Data u njoftua në mbledhjen e fundit formale të këtij komisioni, që dakordësi gjati vetëm për afatin e daljes së raporteve, ndërsa ndanë këndvështrime të ndryshme mbi produktin e punës 3-mujore.
“Provuam që mbrojtja politike që u është bërë kompanive dhe tre pronarëve të saj ra. Provuam që 430 mln euro u zhvaten qytetarëve dhe incineratorë nuk ka. Provuam se si janë shkelur procedurat dhe në këtë aferë korruptive më të madhen në vend. Raporti përfundimtar do të dalë më 7 mars. E di që është e vështirë të dalim me një raport të përbashkët”, tha kryetarja demokrate e Komisionit, Jorida Tabaku.
Nënkryetarja socialiste, Ermonela Felaj ndau një tjetër këndvështrim.
“Ne do të kemi një raport tonin për të gjitha çfarë u pa, çfarë dëgjuam në këtë Komision dhe të sjelljes së organeve të administratës. Sot qytetarët e bashkive Tiranë, Rrogozhinë, Kavajë, Durrës, Fier, Elbasan, Përrenjas, Cërrik e të tjera kanë impiante moderne të përpunimit të mbetjeve”, deklaroi Felaj.
Për socialistët, nga fillimi deri në fund Komisioni nuk ishte në lartësinë e duhur. “Sepse nuk ndau një hetim parlamentar nga një hetim penal”, u shpreh Felaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.