Bota

Biden njofton sanksionet e reja: S’kam plane të bisedoj me Putin, do mbrojmë çdo pëllëmbë të NATO-s. por në Ukrainë s’futemi

Në një konference për shtyp në mbrëmjen e të enjtes, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden u zotua se vendimi i Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën do t’i kushtonte Rusisë “shtrenjtë, ekonomikisht dhe strategjikisht”, ndërsa SHBA dhe aleatët e saj do të njoftojnë sanksione të reja kundër Rusisë.

 “Kur të shkruhet historia e kësaj epoke, zgjedhja e Putinit për të bërë një luftë krejtësisht të pajustifikueshme kundër Ukrainës do ta ketë lënë Rusinë më të dobët dhe pjesën tjetër të botës më të fortë”, tha Biden.

Joe Biden theksoi rëndësinë e qëndrimit të SHBA-së dhe aleatëve të saj ndaj agresionit rus, duke argumentuar se manovrat ushtarake të Vladimir Putin në Ukrainë kërcënojnë lirinë kudo.

“Ky agresion nuk mund të mbetet pa përgjigje…”, tha Biden. “Ne ngrihemi për lirinë. Këta jemi ne”

Joe Biden tha se ai po dërgonte më shumë trupa amerikane në Gjermani në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, por ai theksoi se trupat amerikane nuk do të dërgoheshin në Ukrainë.

“Forcat tona nuk janë dhe nuk do të jenë të përfshira në konfliktin me Rusinë në Ukrainë”, tha Biden.

“Forcat tona nuk do të shkojnë në Evropë për të luftuar në Ukrainë, por për të mbrojtur aleatët tanë të NATO-s dhe për të siguruar ata aleatë në lindje”.

Biden përsëriti se SHBA-ja do të luftojë për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.

Joe Biden tha se kompanitë amerikane të naftës dhe gazit “nuk duhet ta shfrytëzojnë këtë moment”, mes shqetësimeve se pushtimi rus i Ukrainës do të shkaktojë çmime shumë më të larta të gazit.

“Unë do të bëj gjithçka në fuqinë time për të zvogëluar  dhimbjen që populli amerikan po ndjen me gazin,” tha Biden. “Por ky agresion nuk mund të mbetet pa përgjigje”.

Joe Biden tha se Vladimir Putin mban i vetëm përgjegjësinë për sulmin në Ukrainë dhe njoftoi se administrata e tij do të vendosë sanksione më të rënda.

“Putini zgjodhi këtë luftë. Dhe tani ai dhe vendi i tij duhet të mbajnë pasojat”, tha Biden.

Presidenti amerikan tha se nuk ka plane që të bisedojë me Putinin.

Sipas Bidenit, në sanksione do të përfshihen eksportet, por po ashtu bankat dhe oligarkët.

Në raundin e ri të sanksioneve, sipas presidentit Biden, janë vendosur edhe katër banka ruse.

“Kjo nënkupton që çdo aset që ato kanë në SHBA, do të ngrihen”, tha ai.

Biden tha se sanksionet po ashtu do të godasin sektorin e teknologjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë