Si sot më 23 shkurt të vitit 1848, u botua në Napoli gazeta e parë në historinë e shtypit shqiptar, “L’albanese d’Italia”.
Ky botim periodik, që u cilësua si gur themeli i shtypit kombëtar, drejtohej nga një prej figurave qendrore të Periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shkrimtari arbëresh, Jeronim de Rada.
Gazeta, e shkruar kryesisht në gjuhën italiane dhe pjesërisht në arbërisht, shërbeu si një tribunë e komunikimit të mesazheve politike, shoqërore e kulturore, në përpjekje për të krijuar dhe informuar opinionin publik të komunitetit arbëresh në Itali. Për këtë qëllim, në disa prej numrave të saj, janë publikuar lajme të shumta mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.
De Rada, i cili cilësohej edhe si “babai” i gazetarisë shqiptare, përveç konceptimit të periodikut, kishte marrë nën ngarkim të plotë kryerjen e çdo procesi të parashikuar deri tek shtypshkrimi i përmbajtjes. Në vijim, do t’i vinte në ndihmë një bashkëpunëtor, studenti Nicola Castagna. Personaliteti i botës arbëreshe ndërmori në vitin 1883 edhe botimin e revistës së parë në gjuhën shqipe, “Flamuri i Arbërit”.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot dy faqe të numrit nëntë të revistës “L’albanese d’Italia”, publikuar më datë 22 mars, 1848.
Nga “L'Albanese d'Italia”, shtypur në Napoli, në shtypshkronjën Trani, u botuan gjithsej 28 numra, plus tri suplemente, nga 23 shkurti deri më 7 qershor 1848. Artikujt u nënshkruan si nga De. Rada, i cili ishte drejtori, por edhe nga Francesco Antonio Santori, Vincenzo Gallo-Arcuri, Giuseppe Petrassi, Cesare Marini, Nicola Castagna, Nicolò Ieno de 'Coronei, i cili redaktoi rubrikat. Bashkëpunëtorët ishin: Michele Bellizzi, Vincenzo dhe Achille Dorsa, Francesco Candreva, Tommaso Lopez.
Jeronim De Rada ishte shkrimtar arbëresh dhe një nga publicistët më të vjetër shqiptarë.
Me këtë gazetë, ai hodhi gurin e parë në themelet e shtypit kombëtar, ku pas kësaj gazete u botuan dhe një sërë titujsh të tjetër të rëndësishëm për kohën.
Më 1883 De Rada themeloi revistën mujore dygjuhëshe Fiamri Arbërit – La bandiera dell’Albania. Ky periodik, i botuar në fillim në Macchie e më pas në Kozencë, zgjati deri në nëntor të vitit 1887 dhe me gjithë censurën turke e greke, lexohej gjerësisht edhe nga shqiptarët në Ballkan.
Më 1892 De Rada u riemërua mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër dhe më 1895 organizoi të parin kongres gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro. Dy vjet më vonë mori pjesë aktive në Kongresin e dytë gjuhësor arbëresh në Ungër (Lungro). Aty bëri thirrje për të ngritur një Katedër të studimeve shqiptare në Institutin Oriental në Napoli. Në vitet e fundit të jetës ai botoi veprën “Shkronjat dhe gramatika e gjuhës shqipe”, 1894 (Caratteri e grammatical della lingua albanese) mbi bazën e leksioneve të mbajtura në Kolegjin e Shën Adrianit. Pas dy vitesh botoi librin Antologji shqipe e përkthyer besnikërisht në gjuhën italiane, Napoli 1896 (Antologija Albanese tradotta fedelmente in italiano), ku përfshihen poezi të zgjedhura nga Jul Variboba, Françesk Anton Santori etj. dhe një autobiografi në katër vëllime të titulluar Autobiologjia, Kozencë 1898, Napoli 1899. Pak para se të vdiste, botoi edhe ‘Testamento politico’, përmbledhje kjo e pikëpamjeve të tij politike e kulturore, e botuar në La Nazione Albanese më 30 shtator 1902.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.