Në takimin e zhvilluar me dibranët në mbështetje të kandidatit Luan Haka për zgjedhjet e 6 marsit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, foli gjatë për shpresën dhe nevojën për ndryshim.
Basha u fokusua tek kandidati Haka që, sipas tij, do të jetë kryetari i ardhshëm i dibranëve.
“…Jam i bindur se në këtë dritë të të vërtetës që po përcëllon dhe djeg të gjitha gënjeshtrat dhe mashtrimet, nuk do ta ketë të lehtë edhe shkaktari i emigracionit të të rinjve dibranë, i varfërisë që është ulur këmbëkryq kudo, i atij që para 8 vitesh erdhi në pushtet të jashtëzakonshme, por sot është në histori si kryeministri i qeverisë më hajdute, më keqbërëse, siç po vërteton ditë për ditë para syve të botës komisioni hetimor i inceneratorëve, i aferës së shekullit, por që të gjithë e dimë, është një nga aferat korruptive me të cilat janë marrë paratë e shqiptarëve, janë zhdukur nga xhepat e baballarëve dhe nënave, janë hequr nga tryezat e vogëlushëve shqiptarë, nga shkollat dhe spitalet për të pasuruar në mënyrë marramendëse një grusht njerëzish. Ndaj sot më shumë se kurrë e vërteta po del në shesh, por jo thjesht dhe vetëm sepse dielli lindi, dielli lindi e do të lind prapë nesër, por ishte Partia Demokratike, ishit ju, ishin demokratët, ishte qëndresa jonë, kauzat tona që i luftuam pareshtur, pa kompromis me të keqen të cilat e bënë të mundur daljen në pah të të vërtetës e së shpejti drejtësia do të fillojë të veprojë…”, tha Basha
Kryetari i PD premtoi se, “do të luftojë për rikthimin e besimit”.
“30 vjet pas rënies së komunizmit një nga dëmet më të mëdha është vrasja e shpresës se gjërat mund të ndryshojnë. Sot jam këtu, për tu zotuar para jush, dibranëve të mençur, të zotë, të fortë e patriotë, që nuk e keni lëshuar Dibrën edhe në këto ditë të vështira, por edhe para gjithë shqiptarëve, se ndryshimi është dhe mbetet misioni numër 1 i Partisë Demokratike, misioni numër 1 i imi”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.