Në çdo qytet italian, ritmi i ditës fillon në kafene. Por në Trieste, një qytet në bregun verilindor të Italisë, ky ritëm vjen ndryshe. Në çdo kafe atje, përveç kërcitjeve të njohura të filxhanëve, dëgjohen njerëz që porosisin “capo in b”: një mini kapuçino e shërbyer në një gotë që është e preferuara e vendasve.
Është një nga arsyet e shumta pse ky qytet i vendosur mes Sllovenisë dhe Adriatikut nuk është i ngjashëm me askund tjetër në Itali.
“Mendova se kisha nevojë për një doktoraturë për të porositur kafe kur u transferova këtu për herë të parë”, tha Maria Kochetkova, redaktore e In Trieste, një revistë në gjuhën angleze për emigrantët e shumtë të qytetit. “Në vend të një “kafeje” (ekspreso), porosisin një “nero”; për një kapuçino thonë “caffelatte” dhe lista vazhdon. Ajo dhe burri i saj, Francesco Stumpo, një italian nga Savona, përkthejnë me kënaqësi kodin unik të kafenesë së Triestes për të ndihmuar të ardhurit. Siç e sheh Kochetkova, lidhja me traditën e kafesë në këtë qytet është një nga mënyrat më të mira për t’u bërë vërtetë pjesë e Triestes.
Kafenetë janë një shtëpi e dytë për shumë italianë. Pas shtëpisë, aty shpaloset shpesh jeta shoqërore, pasi njerëz nga të gjitha brezat mblidhen me miqtë për të ndarë thashethemet e fundit dhe për të kaluar kohën. Por në një vend tashmë të fiksuar pas kafesë, shumë njerëz mund të habiten kur të mësojnë se ky qytet kufitar i largët konsiderohet zakonisht si “Kryeqyteti i kafesë” jozyrtar i Italisë. Thuhet se jo vetëm që konsumohet kafeja 2 herë më shumë se kudo tjetër në Itali, por është gjithashtu shtëpia e portit kryesor të kafesë në Mesdhe dhe një prej markave më të mëdha të kafesë në Itali.
“Kafeja është padyshim një gjë kryesore këtu”, tha Alessandra Ressa, mësuese që u zhvendos nga San Francisko në Trieste 20 vjet më parë.
“Në vend që të qëndrojmë në bar dhe të pimë një kafe të shpejtë si në qytetet e tjera italiane, këtu ne ulemi dhe marrim kohën tonë, bëjmë takime me njëri-tjetrin për kafe. Dhe nuk shihni askënd që ecën me një filxhan për të shkuar në punë”.
Ressa shtoi se edhe kur ajo dhe banorë të tjerë shkojnë për piknik, ata sjellin me vete një ngrohës, gjezve dhe filxhanë në mënyrë që të mund të pushojnë me një kafe.
“Është një kënaqësi e veçantë”.
Kafja mendohet se ka mbërritur për herë të parë në Itali në vitin 1570 kur mjeku Prospero Alpini solli kokrra kafeje nga Egjipti për t’i shitur në farmacitë veneciane. Megjithëse pija u pëlqye menjëherë, ajo ngjalli dyshime për shkak të efekteve të panjohura dhe lidhjeve me Islamin. Katolikët e quajtën atë “pija e djallit” dhe i kërkuan Papa Klementin VIII për ta ndaluar atë. Por pas një gllënjkeje, Papa deklaroi se ishte aq e mirë sa nuk duhej të ishte ekskluzive për “të pafetë”. Nga mesi i shekullit të 17-të, kafenetë elegante u krijuan në Venecia dhe Vjenë dhe kafeja u nderua si një pije luksoze, e shijuar nga aristokratët dhe intelektualët.
Trieste filloi ta kapte këtë mani kafeje në 1719, kur porti i saj u shpall pa taksa nën sundimin austro-hungarez. Tregtia filloi me kafen që vinte nga Perandoria Osmane dhe Trieste shpejt po furnizonte me kafe kafenetë në të gjithë Perandorinë Austro-Hungareze, duke përfshirë kafenetë e famshme të Vjenës.
I dha një shtysë të madhe qytetit Maria Theresa, Kryetare e Shtëpisë së Habsburgëve, e cila hyn në histori si heroina që e ktheu Triesten në një qytet port të fuqishëm. Çuditërisht, ajo kurrë nuk shkeli në Trieste, por meqenëse territoret e Habsburgëve kishin hyrë në borxhe të mëdha gjatë mbretërimit të babait të saj, ajo e shikonte qytetin si një krijues parash. Për të nxitur ekonominë e saj, në 1751 ajo me zgjuarsi e bëri Triesten të hapur për të gjitha fetë, një veprim i guximshëm, duke pasur parasysh se gjetkë, familja katolike Hapsburge kishte dëbuar protestantë, kërkonte kode veshjeje për hebrenjtë dhe lejoi vetëm katolikët të ndiqnin universitetet. Punëtorët dhe sipërmarrësit mbërritën shpejt në Trieste nga i gjithë Mesdheu për të krijuar kompani dhe për të ndërtuar biznesin e transportit dhe kafesë.
Trieste mbetet një qytet i larmishëm dhe tolerant sot. Është shtëpia e një prej sinagogave më të mëdha në Europë. Po të shëtisni nëpër rrugët e qytetit do të vini re se dialekti lokal i Triestos mund të tingëllojë më shumë austriako-gjermanisht sesa italisht, me prekje të kroatishtes dhe greqishtes.
Dhe biznesi i kafesë vazhdon të lulëzojë. Përveç Illy, e themeluar në vitin 1933, dhjetëra kompani të tjera më të vogla pjekin dhe përziejnë miliona thasë me kokrra kafeje që mbërrijnë nga e gjithë bota në portet e Triestes çdo vit. “Është mirë të hapësh dritaret kur udhëton në jug”, tha Ressa. “Ajri nga magazinat është i mbushur me erë kafeje!”
Çdo tetor është Festivali i Kafes në Trieste, kur pjekjet hapen për degustim, restorantet krijojnë pjata me erëza kafe dhe ka një kampionat “Capo in B” për të emëruar baristin më të mirë të qytetit.
Për fat të mirë për vizitorët, disa nga kafenetë e ndërtuara në vitet 1800, të modeluara sipas kafeneve elegante të Vjenës, mund të gjenden ende në qendrën historike të Triestes. Është një mënyrë e shkëlqyeshme për t’u përzier me banorët.
Një tavolinë jashtë në Caffè degli Specchi të Triestes, nga viti 1839, është një vend ideal për t’u vizituar në Piazza Unità d’Italia të qytetit. Vendasit pretendojnë se ky është sheshi më i madh buzë detit në botë. Të mbërrish atje është befasuese, me njërën anë të hapur drejt Adriatikut dhe pjesën tjetër të rrethuar nga një hapësirë madhështore neoklasike me ndërtesa katërkatëshe me gurë gri të zbehtë. Është një vizion harmonik i harqeve dhe ballkoneve, me një orë me fytyrë ari në qendër të saj, në krye të figurave prej bronzi që i bien orës.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta ”Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.