Ka ndodhur

Protestë para Parlamentit kundër shembjes së banesave bashkë me fëmijët

Gazeta Si – Për të katërtën javë radhazi, banorët e zonave të “5 Majit”, Paskuqanit dhe Laprakës në Tiranë janë mbledhur sërish për të protestuar përpara Parlamentit.

Ata vazhdojnë të kundërshtojnë shembjet e banesave të tyre dhe kërkojnë më shumë transparencë për projektin, megjithëse nga qeveria është thënë se asnjë prej familjeve nuk do të mbetet pa shtëpi dhe do të përfitojnë banesë sipas metrave që kanë.

Një pjesë e banorëve të pranishëm në protestë, kanë dalë së bashku me fëmijët e tyre dhe me pankarta në duar bëjnë thirrje për të mos ju shembur banesat e tyre. Njëri prej tyre iu drejtua djalit të kryeministrit Edi Rama, që t’i lutet atij të mos i prishtë shtëpitë.

“Shoku im Zaho, thuaji babit tënd të mos na prishë shtëpitë. Nuk kemi ardhur kot, s’kemi shtëpi tjetër vetëm këtë. S’kemi ardhur kot këtu”, tha ai.

Pas protestës para Parlamentit, qytetarët u drejtuan të Ambasada amerikane në rrugën e Elbasanit me pankarta, ku kërkohet respektimi i pronës.

Në kuadër të projektit të rindërtimit dhe rikualifikimit urban në zonën e ‘5 Majit’, qindra banesa janë projektuar për t’u shembur nga IMT.

Një pjesë e banorëve nuk kanë pranuar kontratat e propozuara nga bashkia, ku thuhet se do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re me të njëjtat metra katror.

Sipas tyre, kontrata është e njëanshme dhe nuk ka vlerë ligjore. Për këtë projekt pritet të shemben në total një numër prej rreth 1 mijë banesash.

E mbetur pa shpresë, një banore e “5 Majit” u fut brenda oborrit të Kuvendit për të takuar ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ajo i kërkoi mbështetjen e tij dhe Komisionit të Rithemelimit të PD në kërkesën e tyre për shpronësim të drejtë nga qeveria.

Berisha ka dalë dhe i është përgjigjur pyetjes së saj duke i treguar se kërkesën për problematikën e banorëve do të ia përcjellë Komisionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë