Jete & Stil

A është varësia ndaj ushqimit njësoj si ndaj alkoolit dhe duhanit?

Varësia është një fjalë që ne përgjithësisht e lidhim me drogat ilegale, lojërat e fatit, duhanin ose alkoolin. Por disa njerëz besojnë se janë të varur nga diçka që është tërësisht ligjore dhe thelbësore për mënyrën se si ne mbijetojmë: ata janë të varur nga ushqimi.

Larg nga të qenit thjesht “të pangopur” apo “të dashuruar me ushqimin”, këta njerëz thonë se kanë një varësi aq të fortë sa çdo lojtar i bixhozit, alkoolist apo duhanpirës.

Nevoja e tyre për të ngrënë pushton jetën e tyre, duke i izoluar nga njerëzit e dashur, duke shkaktuar humbje, largim nga puna dhe dëmtim fizik e mendor.

Ndërsa disa mund të bëhen të varur nga ushqimet e pashëndetshme si ëmbëlsira, çokollata ose pica dhe shtojnë shumë peshë si rezultat, përsëri ka njerëz që janë të varur nga ushqimi, sido të jetë ai.

Shumë njerëz pranojnë se hanë aq shumë sa qëndrojnë me orë të tëra pranë frigoriferit.

Kjo shkakton edhe hipotension pas ngrënies.

Ata që preken nga varësia ndaj ushqimit zakonisht përshkruajnë se e kanë të vështirë të shohin të tjerët të lënë ushqim pa ngrënë në pjatat e tyre.

Megjithatë, varësia ndaj ushqimit është një diagnozë e diskutueshme dhe jo e njohur gjerësisht, ndryshe nga varësia ndaj alkoolit, për shembull, pasi nuk është në Klasifikimin Ndërkombëtar të Sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Varësia” është ndoshta fjala e gabuar”, thotë Jane Ogden, pedagoge e psikologjisë në Universitetin e Surrey.

“Termi klasik i varësisë do të thotë që ka një lloj reagimi të trurit dhe biologjik ndaj substancës dhe ky është niveli në të cilin ndodh varësia”.

Ajo thotë se edhe pse ka një komponent të fortë psikologjik në varësinë ndaj drogës, alkoolit ose nikotinës, me ushqimin është shumë më shumë psikologjik sesa biologjik.

“Ndoshta nuk është ajo që unë do ta quaja tipike një varësi, por njerëzit padyshim kanë ndërtuar një marrëdhënie jo të shëndetshme me ushqimin”, thotë Ogden.

Por Jen Unwin, një psikologe klinike në Southport, argumenton se varësia ndaj ushqimit është po aq e vërtetë sa nga alkooli ose nikotina. Megjithatë, ndryshe nga alkooli apo droga, ushqimi është diçka që ne të gjithë kemi nevojë, duke e bërë më të vështirë ta shohim atë si një varësi, argumenton ajo.

Unwin thotë se shumica e të prekurve duket se dëshirojnë sheqer, drithëra (përfshirë miellin) dhe ushqime të përpunuara si pica. Mënyra se si truri ynë reagon ndaj ushqimeve të caktuara është çelësi për të kuptuar varësinë ndaj ushqimit.

Në aspektin evolucionar, gjetja e ushqimeve me kalori të lartë si arrat dhe ushqimet e ëmbla nënkupton një shans më të mirë për të mbijetuar dhe shkakton një rritje të dopaminës, hormonit të trurit të lidhur me kënaqësinë dhe motivimin.

Pra, ne jemi të motivuar t’i gjejmë dhe t’i hamë përsëri.

“Në kohët parahistorike, do të kishte kuptim ta tepronim me ushqime të tilla si arrat, sepse do të na duhej të shtonim peshë për të mbijetuar”, thotë ajo.

Pas dopaminës, shpjegon Unwin, ne marrim një goditje të serotoninës nga ushqimi, një nxitje në hormonin e lumturisë.

“Pas një vakti të mirë ose një copë torte të këndshme, nivelet e insulinës (të nevojshme për të hequr sheqerin nga qarkullimi i gjakut) rriten dhe kjo bën që triptofani, një aminoacid të derdhet më lehtë nëpër barrierën gjak-tru, duke shkaktuar një rritje të serotoninës”, thotë Unwin.

Por, përveç faktorëve evolucionar, zakoni dhe rehatia luajnë një rol të madh në varësinë ndaj ushqimit. “Për disa njerëz ushqimi është një rehati emocionale dhe kjo mund të bëhet zakon”, thotë Unwin.

Ogden e konfirmon këtë, duke thënë se ne e lidhim ushqimin në shumë përbërës të ndryshëm në jetën tonë, kështu që, kur pini çaj pasdite, hani një copë keku me të, kur ndiheni të trishtuar, hani një copë tortë, kur dëshironi të festoni, shkoni jashtë për darkë etj.

“Edhe kur jeni duke parë TV, ju hani diçka të shpejtë. Kjo bëhet zakon dhe më pas ju bashkoni emocionet me të”.

Ogden thotë se nëse besoni se jeni të varur nga ushqimi, mbajtja e një ditari ushqimor mund të ndihmojë. Shkrimi i asaj që keni ngrënë dhe ku, çdo ditë, mund t’ju ndihmojë të identifikoni shkaktarët.

Përpiquni t’i largoni ato shkaktarë emocionalë duke gjetur diçka tjetër që mund të jetë një zëvendësim si të shkoni për një shëtitje, të flisni me një mik, të filloni një hobi dhe të kaloni atë ‘kulm’ të nevojës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë