Në pritjen e organizuar në Nju Jork me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Kryeministri Edi Rama shpalosi prioritetet e vendit tonë si anëtare e përkohshme e trupës 15-vendëshe.
“Ne kemi vendosur të drejtat themelore të njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare në zemër të prioriteteve tona në Këshillin e Sigurimit”, tha Rama.
Kryeministri e vlerësoi marrjen e këtij mandati si një moment historik për Shqipërinë.
“Një hap kritik në transformimin tonë për të përmbushur aspiratat tona si komb për të kontribuar që bota të bëhet një vend më i mirë për ne dhe për të gjithë të tjerët”, u shpreh ai.
Rama vlerësoi rëndësinë e këtij mandati për Shqipërinë duke e lidhur me peshën e personave që morën pjesë në këtë ceremoni.
“Edhe vetëm për personat që janë të pranishëm në këtë sallë, që na kanë nderuar me prezencën e tyre, mandati si anëtare e këshillit të sigurimit ja vlen”, u shpreh ai.
Kryeministri tha para të pranishmëve se në tre dekada Shqipëria ka pësuar transformimin edhe më të madh se në tre shekujt e shkuar.
Ai solli shembujt nga historia të strehimit të hebrenjve, shqiptarëve të Kosovës, iranianëve dhe afganëve për të ilustruar se përse Shqipëria e ka të merituar vendin si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit për të promovuar paqen dhe bashkëjetesën.
“Ne kemi kemi kaluar gjithçka, luftra, pushtimin, vetëizolimin, diktaturat por jo konfliktin fetar dhe për këtë ka një arsye”, u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



