Bota

Vizita në Kiev, Scholz: Pres hapa konkretë nga Rusia për të shmangur konfliktin me Ukrainën

Kancelari gjerman Olaf Scholz takoi Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenksiy në Kiev, ndërsa nesër ai ndalon në Moskë për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. Analistët thonë se veçanërisht nga Rusia, zoti Scholz duhet të përcjellë mesazh të qartë se perëndimi ka unitet dhe se nuk mund të përçahet.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se vendi i tij do të vazhdojë të ndjekë synimin për anëtarësim në NATO, pavarësisht kundërshtimit rus dhe skepticizmit të disa vendeve perëndimore.

“Sot, shumë gazetarë dhe udhëheqës po japin shenja të vogla për Ukrainën se është e mundur që të shmanget rreziku dhe që të mos ngrihet vazhdimisht çështja e anëtarësimit në aleancë në të ardhmen, sepse këto rreziqe lidhen me reagimin e Federatës Ruse”, tha zoti Zelenskiy në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Besoj se duhet të vazhdojmë të ecim në rrugën që e kemi zgjedhur”, shtoi udhëheqësi ukrainas.

Nga ana e tij, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se pret hapa konkretë nga Rusia për të shmangur konfliktin me Ukrainën, ndërsa shtoi se Gjermania dhe aleatët perëndimorë janë të gatshëm për dialog serioz me Rusinë mbi çështjen e sigurisë evropiane.

Udhëheqësi gjerman njoftoi një kredi të re prej 150 milionë eurosh për Ukrainën, ndërsa shtoi se Perëndimi është gati për vendosjen e sanksioneve të gjera dhe të efektshme, nëse Rusia shkel integritetin territorial të Ukrainës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë