Politike

Meta mbledh Këshillin e Sigurisë: Në rast nevoje, të evakuojmë shqiptarët që banojnë në Ukrainë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare për situatën në Ukrainë ku nuk ishin të pranishëm  kryeministri Edi Rama dhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, të cilët ndodhen për të njëjtën çështje në SHBA.

Në takim nuk u pa as kryetari i PD-së, Lulzim Basha, për të cilin nuk dihet a ka pasur ndonjë ftesë nga Ilir Meta, sa kohe që kryetari i opozitës vetëm mund të ftohet për të dëgjuar, pasi nuk është anëtar i Këshillit.  

Në takim ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit duke filluar nga ministri i Mbrojtjes, ai i Financave, i Drejtësisë, Shefi i SHISH dhe disa drejtues të komisioneve parlamentare.

Ilir Meta u takua pak ditë më parë me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj po për konfliktin ne Ukrainë që pritet të percipitojë nga dita në ditë. Qëndrimi i politikës shqiptare është unik në këtë rast duke konsistuar në zgjidhjen e krizës përmes dialogut dhe jo ndërhyrjes ushtarake.

Presidenca zbardhi pjesë nga takimi.

“Presidenti Meta theksoi në mënyrë të veçantë domosdoshmërinë e evidentimit dhe mbajtjes së kontakteve me qytetarët shqiptarë me banim të përkohshëm në Ukrainë dhe mundësimin e evakuimit të tyre në rast nevoje, vijimin e reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, forcimin e kapaciteteve kundër sulmeve kibernetike, marrjen e masave për rritjen e sigurisë së infrastrukturës strategjike dhe garantimin e rezervave të shtetit për çdo rast, si dhe ndjekjen me vëmendje maksimale të zhvillimeve në rajonin tonë.

Presidenti Meta dhe anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare konfirmuan se, Shqipëria, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, si dhe nxit dialogun dhe rrugën paqësore për zgjidhjen e krizës aktuale”, thuhet në njoftimin për shtyp.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë