Gazeta Si – Gjykata e Lezhës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Edmond Përdodën, i akuzuar si një nga të dyshuarit e vrasjes së kryer në bashkëpunim të rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simoni dy vjet më parë në Lezhë.
Përpara trupës gjykuese, Përdoda pranoi krimin e rëndë të vrasjes së dyfishtë, ku ka ndihmuar vëllain e tij dhe ka fshehura provat e krimit.
Policia ka gjetur edhe armët e krimit, dy kallashnikovë, që dyshohet se u përdorën për vrasjen e Murranit dhe Simonit.
Armët u gjetën të groposura në Lalm Lukaj dhe u zbuluan pas një përgjimi ambiental mes Edmond Përdodës dhe një familjari të tij.
Ndaj 39-vjeçarit pritet të ketë edhe një seancë për masë sigurie të dytë për akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Edmond Përdoda ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Më herët për vrasjen e dyfishtë, është arrestuar edhe vëllai i Edmondit, Aleksandër Përdoda, si dhe një person i tretë me iniciale A.Ll.
Në 27 prill 2020, në fshatin Lalm i Ri, Lezhë, u vranë me armë zjarri Kol Murrani dhe Preng Simoni, ku autorë të ngjarjes ishin vëllezërit Aleksandër Përdoda (aktualisht në burg, i dërguar për gjykim për vrasje në rrethana cilësuese) dhe Edmond Përdoda, i cili u arrestuar tre ditë më parë nga RENEA.
Murrani dhe Simoni shkuan për të vizituar banesat e tyre të vjetra në fshatin Lalm Lukaj, por u përballën me dy vëllezërit e armatosur, të cilët dyshohet se kishin mbjellë kanabis në tokat e dy viktimave, duke pretenduar se ishin pronat e tyre.
Rapsodi i njohur Murrani dhe miku i tij u ekzekutuan me breshëri arme kallashnikovi pas debatit me vëllezërit Përdoda.
Trupat e viktimave u gjetën në pyll nga djali i Preng Simonit, që kishte dalë të kërkonte babanë me të cilin kishte humbur çdo kontakt prej orësh të tëra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




