Një studim ka gjetur prova se mirëqenia dhe aftësitë njohëse ndikojnë në njëra-tjetrën gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës së hershme. Studimi, i botuar në revistën “Clinical Psychological Science”, zbuloi më tej se ka faktorë rreziku si pubertiteti i hershëm dhe marrëdhëniet e dobëta me prindërit që cojnë në rezultate të këqija.
Aftësitë njohëse janë proceset mendore që na ndihmojnë të kryejmë detyrat e përditshme, duke na lejuar të ruajmë vëmendjen, arsyetojmë, zgjidhim problemet, mësojmë dhe mbajmë mend. Mirëqenia i referohet kënaqësisë së përgjithshme të një personi me jetën e tij. Të dyja këto ndryshojnë dhe përshtaten gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës dhe kanë qenë të lidhura me një sërë rezultatesh pozitive duke përfshirë shëndetin fizik.
Konstruktet e njohjes dhe mirëqenies rrjedhin nga fusha të veçanta të psikologjisë, por studimet e fundit sugjerojnë se ato janë të ndërlidhura. Natyra e kësaj marrëdhënieje mbetet e paqartë ku disa teori tregojnë se shqetësimi psikologjik dëmton njohjen, ndërsa të tjera tregojnë se aftësitë njohëse ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit psikologjik.
“Unë kam qenë i interesuar për lidhjen midis njohjes dhe mirëqenies tek të rinjtë që nga fillimi i doktoratës sime në 2013. Ne e dimë se mirëqenia psikosociale në shkolla mund të ndikojë në një sërë rezultatesh të rëndësishme, duke përfshirë arritjet arsimore tek të rinjtë. Louise Arseneault, dhe të tjerët, kanë treguar se ngacmimi është i lidhur me shëndetin mendor, si dhe me rezultatet njohëse dhe arsimore”, shpjegoi autorja e studimit Delia Fuhrmann, pedagoge në King’s College në Londër.
“Në këtë studim, ne donim të bënim një hap prapa dhe të hetojmë mekanizmat që mund të jenë në themel të lidhjeve midis njohjes dhe mirëqenies. Cilat janë lidhjet midis fushave të ndryshme të njohjes dhe mirëqenies në fëmijëri? Si ndryshojnë këto lidhje ndërsa fëmijët rriten në adoleshentë? Ne e bëmë këtë studim për të ndihmuar në drejtimin e punës së aplikuar në të ardhmen, për të ndihmuar në informimin apo kërkimin mbi ndërhyrjet që synojnë të nxisin arritjet arsimore ose mirëqenien në shkolla”.
Fuhrmann dhe kolegët e saj kryen një studim për të shqyrtuar marrëdhënien e ndërsjellë midis aftësisë njohëse dhe mirëqenies duke përdorur një qasje komplekse të sistemeve. Midis një kampioni fëmijësh dhe adoleshentësh, ata eksploruan se si tre fusha njohëse dhe tre fusha të mirëqenies ndërveprojnë me kalimin e kohës.
Studiuesit analizuan të dhënat nga Studimi i Kujdesit të Hershëm të Fëmijëve dhe Zhvillimit të Rinisë, një studim i madh në SHBA që u shtri nga viti 1991 deri në vitin 2007. Fuhrmann dhe kolegët e përqendruan analizën e tyre në një kampion prej 1,136 fëmijëve dhe adoleshentëve të cilët ishin midis moshës 6 dhe 7 vjeç kur filloi studimi dhe moshën 15 kur mbaroi studimi. Kishte katër valë të dhënash dhe masat përfshinin fushat njohëse të matematikës, fjalorit dhe planifikimit dhe fushat e mirëqenies dhe vetmisë.
Së pari, rezultatet zbuluan se mirëqenia ishte e lidhur me aftësinë njohëse. 6-7-vjeçarët me mirëqenie më të ulët kishin gjithashtu aftësi më të ulëta njohëse.
“Njohja dhe mirëqenia janë të lidhura, dhe lidhjet shkojnë në të dyja drejtimet, njohja është e lidhur me mirëqenien, dhe mirëqenia është e lidhur me njohjen. Kjo nxjerr në pah se sa kompleks është zhvillimi”, tha Fuhrmann.
Studiuesit më pas përdorën modele të rritjes për të eksploruar ndërveprimin e mirëqenies dhe njohjes me kalimin e kohës dhe gjetën prova të marrëdhënieve ‘dydrejtuese’. Simptomat më të këqija në moshën 6-7 vjeç parashikuan më pak fitime në aftësinë e planifikimit, gjë që mund të jetë dëshmi se problemet e sjelljes mund të shfaqen përpara vështirësive në njohje. Fjalori më i mirë në moshën 6-7 vjeç parashikonte më pak rritje të vetmisë.
Gjetjet theksojnë se “lidhjet midis njohjes dhe mirëqenies janë specifike”, tha Fuhrmann. “Për shembull, fjalori i mirë i fëmijërisë ishte i lidhur me më pak rritje të vetmisë me kalimin e kohës, por fjalori nuk parashikonte ndryshime në fusha të tjera të mirëqenies, siç janë disa aspekte të shëndetit mendor. Ne mendojmë se lidhja midis fjalorit dhe vetmisë mund të lindë pjesërisht sepse fjalori i mirë dhe aftësitë verbale mund të na ndihmojnë të lidhemi me njerëzit e tjerë. Ky zbulim tregon se, aftësitë e fjalorit në fëmijëri mund të jenë një objektiv i mirë për studimet e ardhshme të ndërhyrjes, mund të na ndihmojë të mbrohemi nga vetmia”.
Studiuesit identifikuan më tej trajektore të ndryshme midis popullatave specifike të fëmijëve, dhe kjo zbuloi disa faktorë rreziku dhe elasticiteti. Për shembull, fëmijët me simptoma më të këqija eksternalizuese ( impulsivitet më i madh, agresivitet) dhe fitime më të vogla në planifikim shënuan më pak në afërsinë prindërore. Një nëngrup fëmijësh me aftësi më të dobëta matematikore dhe një rritje të vetmisë në valën e dytë ishin më pak të afërt me prindërit e tyre, kishin status më të ulët socio-ekonomik dhe kishin miqësi më pak cilësore. Fuhrmann dhe ekipi i saj thonë se këto gjetje nxjerrin në pah vlerën e ofrimit të mbështetjes sociale në shkollë. Ky nëngrup gjithashtu kishte një fillim më të hershëm puberteti, duke sugjeruar se maturimi i hershëm mund të çojë në rezultate më të dobëta njohëse dhe mirëqenie.
“Trajektorja e zhvillimit të secilit është unike”, vazhdoi Fuhrmann. “Ne gjetëm prova se fjalori dhe vetmia ishin të lidhura për shumë të rinj në këtë studim, por jo të gjithë ata që luftojnë me fjalorin e tyre në fëmijëri përfundojnë të jenë të vetmuar. Në studimin tonë, për shembull, pamë se të kesh disa miqësi të mira lidhet me fjalorin më të mirë dhe zhvillimin e vetmisë.
Për sa i përket implikimeve për trajtimin, autorët thonë se “ndërhyrjet që synojnë adresimin e problemeve të sjelljes dhe nxitjen e aftësive verbale mund të jenë premtuese për përmirësimin e rezultateve të njohjes dhe mirëqenies”.
Ndërhyrje të tilla mund të përfshijnë trajnimin e prindërve, mbështetjen e familjes dhe programet e në shkollë.
Sa i përket kufizimeve të studimit, Fuhrmann vuri në dukje se “ne studiuam të dhëna nga një grup relativisht i madh fëmijësh dhe të rinjsh që u vëzhguan me kalimin e kohës. Nuk kishte asnjë komponent eksperimental në mbledhjen e të dhënave, që do të na lejonte të nxjerrim përfundime shkakësore nga gjetjet tona. Prandaj, studimet e ardhshme do të duhet të përcaktojnë nëse lidhjet midis fjalorit dhe vetmisë, janë shkakësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




