Berlinale, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin, rikthehet si një ngjarje live këtë të enjte edhe pse Gjermania përballet me infeksione rekord me Covid-19.
Organizatorët e këtij eventi që ka filluar që prej vitit 1951 në Berlin, thonë se një sërë masash paraprake do ta mbajnë audiencën të sigurt, ndërsa ata marrin filmat më të fundit nga e gjithë bota.
Drejtori artistik, Carlo Chatrian, mbrojti vendimin kundër akuzave se ishte i papërgjegjshëm në këtë fazë të pandemisë, duke thënë se përvoja e përbashkët e filmit ishte vendimtare për industrinë e goditur, si dhe për shoqërinë në përgjithësi.
“Të shohësh një film në një kinema, të jesh në gjendje të dëgjosh frymëmarrjen, të qeshurat ose pëshpëritjet pranë teje, – edhe me distancimin e duhur shoqëror – kontribuon në një mënyrë jetike jo vetëm në kënaqësinë e shikimit, por edhe në forcimin e funksionit social të kinemasë”, tha ai.
Nderim për legjendën e ekranit francez, Isabelle Huppert
Berlinale do të hapet me “Peter von Kant”, një përshtatje gjinore e klasikut të Rainer Werner Fassbinder “Lotët e hidhur të Petra von Kant”.
Në filmin e regjisorit të mirënjohur francez, Francois Ozon, luan Denis Menochet, Isabelle Adjani dhe Hanna Schygulla, tani 78 vjeçe, e cila luajti në origjinal joshësen e re mizore.
Është ndër 18 pretendentët për çmimet kryesore Ariu i Artë dhe Argjendi i festivalit, që do të ndahen më 16 shkurt.
Regjisori amerikan me origjinë indiane, M. Night Shyamalan (“The Sixth Sense”) kryeson jurinë, e cila përfshin japonezin Ryusuke Hamaguchi, “Drive My Car” i të cilit tani është nominuar për katër Oscar.
Shtatë nga kineastët në garë janë gra.
Festivali do t’i japë gjithashtu një Ari të Artë nderi për arritje jetësore për legjendën e ekranit francez, Isabelle Huppert.

Festivali i Berlinit renditet me festivalin e Kanës dhe Venecias si ndër festivalet më të mëdha të filmit në Europë dhe krenohet që është më mikpritës për publikun e gjerë, duke shitur mijëra bileta për premierat dhe shfaqjet në tapetin e kuq në të gjithë qytetin.
Vitin e kaluar, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin u organizua online, pikërisht kur vaksinat e para po shpërndaheshin në të gjithë Europën.
Ai i dha çmimin kryesor një satire rumune rreth hipokrizisë së epokës së pandemisë, “Bad Luck Banging or Loony Porn”.
“Të papërgjegjshëm” dhe “të prapambetur”
Këtë herë ngjarja do të shfaqë rreth 250 filma, një çerek më pak se në vitet e mëparshme, me kapacitet të kufizuar kinemaje, si dhe kërkesa për vaksina, testime dhe maska dhe një garë më të shkurtër, pasi Gjermania poston më shumë se 150,000 raste të reja me koronavirus në ditë.
Gazeta gjermane, Berliner Morgenpost, paralajmëroi për një “katastrofë” nëse festivali shndërrohej në një ngjarje që mund të infektojë akoma më tej, ndërsa e përjavshmja Die Zeit i quajti organizatorët si “të papërgjegjshëm” dhe “të prapambetur” që nuk e sollën këtë event në formatin online.
Scott Roxborough, shefi i zyrës për Europën për “The Hollyëood Reporter”, gjithashtu vuri në pikëpyetje zgjedhjen e festivalit, duke thënë se ajo lindi nga ankthi i thellë për të ardhmen e filmave.
“Njerëzit janë ende shumë të pasigurt se si do të duket industria e filmit pas koronës”, i tha ai AFP.
“Shumica e teatrove dhe kinemave do të jenë rihapur pjesërisht, por ne ende nuk kemi parë një rikthim të vërtetë të filmave artistikë, në mënyrën që shumë njerëz kishin shpresuar”.
Regjisorët dhe yjet e famshëm priten në kryeqytetin gjerman, me francezen Claire Denis, duke shfaqur premierë “Both sides of the Blae” me Juliette Binoche dhe Vincent Lindon.
Skenaristja e “Carol”, Phyllis Nagy, do të prezantojë dramën e saj për të drejtat e abortit “Call Jane” me Elizabeth Banks dhe Sigourney Weaver.
Paolo Taviani, 90 vjeç, i cili fitoi Ariun e Artë një dekadë më parë me vëllain e tij të ndjerë Vittorio me “Caesar Must Die”, do të zbulojë “Leonora Addio” për vrasjen e një djali emigrant sicilian në Brooklyn.
Dhe Kamila Andini e Indonezisë do të jetë gruaja e parë nga Azia Juglindore në garë, me “Before, Noë and Then”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




