Shqipëria është pozicionuar në vendin e 68-të në Indeksin e Demokracisë të raportuar nga The Economist për vitin 2021, me 6.11 pikë nga 10 maksimalja. Vitin e shkuar Shqipëria ishte e 71-ta (sa më i vogël numri i renditjes aq më i mirë pozicionimi).

Për herë të parë këtë vit, vendi ynë grupohet në sektorin e e quajtur “demokraci me probleme”, ku zgjedhjet janë të lira dhe ka të drejta civile, por ka probleme si liria e medias apo ndrydhja e opozitës dhe krizës. Shqipëria pozicionohet në limitin e një demokracie hibride, aty ku ndodhej vitin e shkuar, sipas revistës amerikane. Kombinim i regjimit politik që shpesh krijohet si rezultat i një kalimi jo të plotë nga një regjim autoritar në një regjim demokratik. Grupi i parë është ai i demokracisë së plotë dhe i katërti, ai autoritar. Ky është rezultati më i lartë që ka marrë Shqipëria, që nga viti 2006, kur publikohet ky indeks.
Shqipëria renditet më mirë se Maqedonia e Veriut (73), Mali i Zi (74), Bosnjë Hercegovina (95), ndërsa më mirë në rajon është Serbia, në vendin e 63.

Indeksi i Demokracisë bazohet në pesë kategori: procesi zgjedhor dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja politike, kultura politike dhe liritë civile. Bazuar në rezultatet e tij në një gamë të indikatorëve brenda këtyre kategorive, secili vend më pas klasifikohet si një nga katër llojet e regjimit: “demokraci e plotë”, “demokraci me probleme”, “regjim hibrid” ose “regjim autoritar”.
Vendi është më dobët në kategorinë e “pjesëmarrjes politike”, që kishte një pikëzim prej 4.44, e njëjtë me vitin e kaluar. Më mirë Shqipëria renditet në kategorinë e “lirive civile”, me 7.06 pikë, e ndjekur nga “procesi zgjedhor dhe pluralizmi” me 7 pikë, funksionimi i qeverisë, 6.43, kultura politike, 5.6.
Shteti më demokratik në botë është Norvegjia, i ndjekur nga Zelanda e re, Finlanda, Suedia, Islanda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




