Gazeta Si – Katër shqiptarët dhe pakistanezi që u arratisën dy ditë më parë nga një burg i sigurisë së zakonshme në Kretë, duke sharruar hekurat e dritares, janë rikthyer në qelitë e tyre për të vijuar vuajtjen e dënimit.
Një ditë më parë u kap nga policia edhe shqiptari i fundit në arrati, Bledar Frroku, si dhe shtetasi pakistanez.
Frroku, 33 vjeç, nga Shën Kolli, Lezhë, me profesion ishte bojaxhi, ndërsa është dënuar në vitin 2020 me 12 vjet e 6 muaj burg dhe 30.500 euro gjobë për “trafik lendësh narkotike”.
Për tre shqiptarët e tjerë shija e “lirisë” zgjati vetëm disa orë, pasi policia greke arriti t’i identifikonte dhe t’i arrestonte më herët.
Sipas mediave helene, ata u larguan nga Chania me një automjet të vjedhur, të cilin e braktisën në Heraklio, për të lëvizur me këmbë. Në makinën e braktisur nga tre shqiptarët u gjet një sasi kokaine, hashashi dhe një thikë.
Bëhet fjalë për: Olis Prifti, 43 vjeç, banues nga Dropulli. Ai ishte kamerier, ndërsa u dënua në vitin 2016 nën akuzat e “pjesëmarrje në grup kriminal”, “grabitje”, “grabitje me pasojë vdekjen”, “vjedhje”, “armëmbajtje pa leje” dhe “përdorim arme”.
– Ardian Meta, 32 vjeç, nga Grabjani, Divjakë. Profesioni i tij ishte bojaxhi. Ai është dënuar me 24 vjet burg në 2017 për “grabitje”.
– Mateo Barjami, 29 vjeç, banues ne Mollas, Kolonjë. Profesioni i tij ishte hidraulik. Ai është dënuar në vitin 2020 me 20 vjet burg dhe 57.000 euro gjobë për “trafik lëndësh narkotike” dhe “mbajtje dhe shitje lendesh narkotike”.
Pesë të burgosurit, shqyen shufrën e hekurt të sigurisë së qendrës së paraburgimit dhe arritën jo vetëm të shkulnin hekurat, por edhe të hiqnin një copë çimentoje nga dritarja.
Pasi arritën të kalonin pengesën e parë, të burgosurit vrapuan në oborrin e komisariatit pa u vënë re nga rojet e burgut, kapërcyen gardhin dhe më pas u larguan në drejtim të paditur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




