Filma

Së shpejti një film i ri biografik për Michael Jackson me performancat më ikonike të tij

Një film i ri biografik për Michael Jacksonin është në realizim e sipër. Producenti i filmit të shumëshpërblyer “Bohemian Rhapsody”, Graham King, është angazhuar si producent i projektit.

Filmi i ardhshëm i titulluar “Michael” po realizohet me miratimin e familjes së mbretit të ndjerë të muzikës pop.

Skenari po shkruhet nga John Logan, i njohur për filma të tillë si “Gladiator” dhe “Skyfall”.

Familjarët, të cilët e menaxhojnë pasurinë e këngëtarit të famshëm, po ashtu shërbejnë si producent të projektit krahas Graham King. Ndërsa distribuimin e filmit anembanë globit do ta bëjë kompania gjigante “Lionsgate”. 

“Jam i nderuar që do ta sjellë trashëgiminë e familjes Jackson në ekran të madh. Mbaj mend që po qëndroja i ulur në stadiumin ‘Dodger’ duke e shikuar turneun muzikor ‘Victory Tour’, dhe atëkohë nuk mund as ta imagjinoja që gati 38 vjet më vonë do të kisha privilegjin të isha pjesë e këtij filmi. Projekti me titull ‘Michael’ do t’i japë audiencës një portret të thellë të njeriut të ndërlikuar që u shndërrua në mbret të muzikës pop. Ai do të sjellë në jetë performancat më ikonike të Jacksonit, pasi jep një pasqyrë të informuar mbi procesin artistik dhe jetën personale të artistit”, deklaroi King gjatë një komunikimi me mediat.

Kurse nëna e këngëtarit të ndjerë, Katherine Jackson, ka deklaruar: “Prej se Michael ishte vetëm fëmijë, si pjesëtar i grupit ‘The Jackson 5’, ai e dashuronte magjinë e kinemasë. Si familje, jemi të nderuar që historia e jetës sonë do të jetësohet në ekran të madh”.

“Michael” do të jetë një portret i thelluar i një njeriu të ndërlikuar që u bë Mbreti i Pop-it. Ai do të sjellë në jetë performancat më ikonike të Jackson-it, pasi jep një pasqyrë të informuar mbi procesin artistik dhe jetën personale të artistit.

Jackson është një nga artistët që ka pasur më shumë shitje në të gjitha kohërat. Ai ishte artisti i parë që kishte një këngë në top 10 në atë tabelë në pesë dekada të ndryshme. Çmimet e tij përfshijnë 15 Grammy, 6 Brit Aëards, një Golden Globe dhe 39 Rekorde Botërore Guinness.

Graham King së fundmi prodhoi filmin “The Unforgivable” të Sandra Bullock, i cili u bë një nga filmat më të shikuar në Netflix.

Pasioni i tij për të treguar histori të jetës reale ka rezultuar në disa filma të suksesshëm kritik dhe komercial.

Përfshirja e familjes Jackson në projekt sugjeron që filmi nuk do të trajtojë akuzat për abuzim seksual të fëmijëve, që u ngritën kundër këngëtarit gjatë karrierës së tij dhe pas vdekjes në vitin 2009.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë