Në pranga kanë përfunduar 41-vjeçari Elton Adili, banues në Korçë dhe Andi Duka, 44 vjeç, banues në Elbasan.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan me sukses operacionin antidrogë të koduar ‘Epilog’. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se dy shtetas në lagjen nr. 10, Korçë, ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, shërbimet e policisë organizuan veprimet dhe bënë të mundur lokalizimin e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë në përdorim nga Adili, në të cilën ndodhej edhe Duka, u gjet 90.2 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 120.2 gram prokusor (përzierës) dhe 1 peshore elektronike. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik të shtetasit Elton Adilit, si edhe në mjetin e tij tip “Volkswagen Golf”, iu gjetën pesë doza me peshë 1.4 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Ndërkohë, në banesën e Andi Dukës, në qytetin e Elbasanit, u gjet 37.6 gram lëndë e dyshuar kokainë.
Gjatë këtij operacioni, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 129.2 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 120.2 gram prokusor, 2050 euro, 1 automjet tip “Volkswagen Golf” dhe 3 aparate celularë.
“Po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje”, vijon më tej policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




