Gazeta Si – Një ditë pas reshjeve të dëborës në juglindje dhe veri të vendit, kanë nisur problematikat e para. Në qarkun e Korçës edhe pse reshjet janë ndalur, pasojat e borës janë të shumta, me rrugë që kalimi lejohet vetëm dhe zinxhirë dhe disa zona pa energji elektrike.
E njëjta situatë paraqitet edhe në qarkun e Shkodrës dhe Dibrës, ku dëbora ka bllokuar disa akse rrugore dhe në shumë zona mungon energjia elektrike.
Në Korçë, trashësia e borës nis nga 15 cm në zonat e ulëta, deri në 40 cm në njësitë administrative. Në Bashkinë e Korçës, problematika ka në njësinë së Vithkuqit, ku lëvizja bëhet me zinxhirë, ndërsa fshatrat Shtyllë, Panarit dhe Grabockë, janë të izoluar, pasi dëbora në pikën e “Mashkullorës” ka arritur gati 2 m.
Në Bashkinë e Kolonjës, të bllokuara nga dëbora janë njësitë administrative Çlirim, Novoselë dhe disa fshatra në Leskovik. Ndërkohë që Novosela është edhe pa energji elektrike.
Në Bashkinë e Devollit, situatë e vështirë paraqitet në njësinë e Mirasit dhe shumë fshatra të tjerë, mbi 20 cm dëborë dhe lëvizja bëhet vetëm me zinxhirë. Në Bashkinë e Maliqit, të izoluara janë 2 njësi administrative, Gorë dhe Moglicë dhe fshatrat e tyre.
Në Bashkinë Pogradec rezultojnë të izoluara fshatrat e njësive Trebinjë, Velçan dhe Dardhas, ku dëbora ka arritur gati 40 cm, ndërkohë që të treja njësitë ka pasur mungesë të energjisë elektrike.
Qarku Shkodër
Në Pukë, kanë pushuar reshjet e dëborës, por ngricat kanë shkaktuar probleme. Në Qelez, dhjetëra banorë kanë mbetur pa energji lektrike dhe po punohet për riparimin e defekteve. Në qarkun e Shkodrës, të gjitha akset rrugore janë të kalueshme dhe kalimi bëhet me goma dimërore.
Në Bashkinë Fushë Arrëz, është bërë e mundur hapja e rrugës së Iballës, ku qarkullimi kryhet me zinxhir për shkak të ngricave. Rruga në drejtim të Thethit vazhdon të jetë e bllokuar dhe po punohet për hapjen, por stuhitë kanë krijuar probleme.
Qarku Dibër
Reshjet e dëborës kanë sjellë një situatë problematike edhe në qarkun e Dibrës. Trashësia e dëborës në qytet arrin deri në 20 cm ndërsa në zonat e thella shkon deri në 40 cm.
Bypass-i i Murrizit në rrugën e Arbrit është hapur prej orëve të pasdites me ndërhyrjen e katër borëpastrueseve që kanë bërë kriposjen e rrugës. Aktualisht kalimi bëhet me zinxhirë.
Edhe në aksin Peshkopi- Kala e Dodës -Kukës kalimi bëhet me zinxhirë, ndërsa më i vështirë është segmenti nga Cereni deri në Vasie pasi era mbush trupin e rrugës me borë duke vështirësuar punën e borëpastrueseve.
Po ashtu në aksin Peshkopi-Qafë Draj-Kukës kalimi bëhet me zinxhirë pasi bora ka zënë rrugën e ngrirë në disa segmente dhe ka rrezik për rrëshqitje.
Një pjesë e rrugëve rurale janë të hapura, por vijojnë të jenë të bllokuara rrugët lidhëse të fshatrave mes tyre dhe me qendrat e njësive administrative.
Problematike është situata në Njësitë Administrative Lurë, Selishtë, Sllovë, Kala e Dodës në Dibër, ndërsa më e qetë paraqitet në Bulqizë Njësitë Krastë, Ostren, Trebisht dhe disa fshatra të Zerqanit.
Si pasojë e reshjeve të dëborës dhe erës së fortë, janë dëmtuar shtylla dhe përcjellës elektrikë. Janë pa energji elektrike 8 fshatra në Lurë, fshatrat e Kalasë së Dodës, dhe një pjesë e Sllovës. Energjia mungon edhe në Njësinë Ostren dhe Krastë në Bulqizë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




