Ka ndodhur

‘Benz’-i bie në lumin Shkumbin pas përplasjes me një mjet, tre të vdekur nga aksidenti

Gazeta Si – Një çift bashkëshortësh nga Kukësi dhe një 18-vjeçar, i afërm i tyre, kanë humbur jetën në një aksident tragjik në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ku një automjet tip “Benz ML”, me të cilin udhëtonin 5 persona, ra në lumin Shkumbin pas përplasjes me një mjet tip “Ford”, që drejtohej nga Sajmir Gjuzi, banues në Floq, Librazhd.

Bëhet fjalë për çiftin e bashkëshortëve, Elmi Keqa 53 vjeç dhe Elona Keqa, 35 vjeçe. Gjithashtu, ka ndërruar jetë 18 vjeçari, Elis Sulmataj. Të plagosur, janë shtetasit Elisiado Keqa rreth 10 vjeç (djali i çiftit) dhe Ambra Halili, rreth 20 vjeçe (e afërme e viktimave). Fëmija i mitur dhe e reja ndodhen të plagosur në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Operacioni për nxjerrjen e trupave zgjati rreth 3 orë si pasojë e terrenit të vështirë. U kërkua ndërhyrja edhe nga 2 mjete tip fadroma që të bënin të mundur zhvendosjen e makinës nga vendi ku kishte rënë, pavarësisht nga terreni tejet i vështirë.

Trupin e njërit prej personave që ka ndërruar jetë, e mori rrjedha e ujit me vete në momentin e ndëhyrjes dhe ai u gjet pak metra më tutje.

Ndihmën e parë familjes fatkeqe nga Kukësi ia kanë dhënë banorët e zonës. Një prej tyre tregon se kanë arritur të nxjerrin djalin që i mbijetoi tragjedisë për shkak të peshës së lehtë.

Ai shprehet se është hera e tretë që ndodh një aksident këtë vend, ndërsa shtoi se barriera mbrojtëse ishte prishur prej dy muajsh.

“Erdha me vrap. Në atë kohë nuk pati njeri vërdallë. Vetëm atë djalin nxorëm se ishte peshë e lehtë. Të tjerët nuk i nxorëm dot. Di se janë tre të vdekur. Gruaja doli e dyta pas djalit. Ishte 8 metra poshtë, Duheshin shkallë të gjata. E treta herë që ka ndodhur në këtë vend. Ka një dy muaj që është prishur barriera. Ata nuk marrin masa. Se duhet të merrnin masa. E prishur ka dy muaj që është prishur”, thotë banori.

Mësohet se familja Keqa dhe të afërmit ishin nisur nga Kukësi drejt Korçës për të festuar ditëlindjen e njërit prej anëtarëves, por udhëtimi i tyre u pre në mes për fat të keq. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë