Ka ndodhur

Arrestohet i dënuari me 14 vjet burg për trafik droge, i gjendet një radio policie

Gazeta Si – Një 33-vjeçar, Fatjon Marku, është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi ishte shpallur në kërkim për 4 vepra penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Për këtë, ai ishte dënuar në mungesë me 14 vite burg nga GJKKO për akuzën e trafikut të drogës, ku dyshohet si i përfshirë edhe në ngritjen e laboratorit të drogës në Has në vitin 2018.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj 33-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë të ftohtë (thikë) dhe 1 radio marrëse-dhënëse si ato të policisë.

Marku po udhëtonte me një mjet si pasagjer, por drejtuesi nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar. Pas disa minutash ndjekjeje, policia ka mundur të ndalojë mjetin me dy të dyshuarit. Në përfundim të veprimeve, u procedua penalisht edhe drejtuesi i mjetit, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë