Ka ndodhur

Vidhnin motorë e biçikleta në Tiranë dhe i shisnin në Fushë-Krujë, 2 në pranga

Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion policor dhe ka vënë në pranga 2 persona.
Gjatë hetimeve, efektivët e Komisariatit Nr. 1 kanë mundur që të dokumentojnë 13 raste të të vjedhjeve të motorëve dhe biçikletave.
Falë operacionit të koduar “Red Jacket” është bërë i mundur sekuestrimi i veshjeve që përdornin autorët Edmond Gjona dhe Daniel Dodaj si dhe aksesorë të ndryshëm të biçikletave të vjedhura.
Policia thotë se janë vënë në pranga Edmond Gjona, 41 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”; dhe Daniel Dodaj, 19 vjeç, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Sipas policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë dhe vende të ndryshme kryenin vjedhje biçikletash dhe motomjetesh. Pasi afroheshin në vendqëndrimet e biçikletave ose motomjeteve, mbikqyrnin lëvizjet e qytetarëve që i parkonin në këto pika, më pas i vidhnin dhe me një mjet të marrë me qira, i transportonin drejt Fushë-Krujës dhe Milotit, për t’i shitur.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshje të ndryshme që dyshohet se autorët i përdornin për kryerjen e vjedhjeve, dhe aksesorë të ndryshëm të biçikletave të vjedhura.

Policia thotë se vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë