Ka ndodhur

Ekstradohet nga Belgjika Dritan Kola, pjesë e bandës së ‘Babagjyshëve’

Interpoli ka ekstraduar nga Belgjika shtetasin Dritan Kola alias Mark Kola, 43 vjeç, I cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 24 vjet burgim, për disa vepra penale, ndërsa njihet edhe si pjesë e bandës së “Babagjyshëve”, të cilët disa vite më parë grabitën në një qendër tregtare në dalje të Tiranës.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2014, i ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, në vitin 2018, e ka dënuar Kolën me 24 vjet burg, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Dritan Kola ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që ka kryer disa grabitje me armë në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë.

Në vitin 2014, në bashkëpunim me shtetasit F. P. dhe M. Sh., ka vjedhur me armë në një kompleks në rrugën “Konferenca e Pezës”.

Grupi në fjalë u pagëzua me emrin “Babagjyshët” pas grabitjes spektakolare të një argjendarie në qendrën tregtare TEG në prag të Vitit të Ri në 2013. Duke përfituar nga atmosfera festive, autorët hynë të maskuar si babagjyshë dhe nën kërcënimin e armëve u larguan prej andej me çantat e mbushura me bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë